Protestojnë punëtorët teknikë të shkollave në kryeqytet

Prishtinë | 22 Jan 2019 | 11:19 | Nga Nexhmie Hyseni Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës ka protestuar para objektit të  Komunës së Prishtinës, në shenjë pakënaqësie me mospagesën prej katër për qind të rritjes së pagave për punëtorët teknikë të disa shkollave të kryeqytetit, raporton Ekonomia Online.

Ata kërkojnë që t’iu paguhen paga me 4 % rritje në sektorin publik nga 1 janari 2018. Sipas tyre, ka neglizhencë nga ana e Komunës së Prishtinës për kthimin e këtyre punëtorëve nën menaxhimin e komunës, sipas ligjit për kryeqytetin, i cili është aprovuar vitin e kaluar.

Jusuf Azemi, anëtar i Kryesisë së Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovë (BSPK-së), tha se kjo protestë erdhi për shkak të mos implementimit të ligjit për kryeqytetin i cili obligon që këta punëtor t’i kthej nën menaxhimin e buxhetit.

“Kërkojmë sa ma shpejt të implementohet ky ligj pasi veç është i aprovuar, përndryshe këta punëtorë kanë obligim që komuna tu paguaj edhe 4% rritje pasi në sektorin publik është bërë rritja e pagave në vitin e kaluar. Që nga 1 janari 2018 komuna e Prishtinës ka marrëveshje me sindikatën dhe është dashtë me pagu që nga 1 janari i vitit të kaluar. Është e vërtet që kemi bisedu dhe ata njëfarë forme thonë do ta kthejmë shumë shpejt”, ka thënë Azemi.

Ata u ftuan në takim, por nuk u takuan me askënd, pasi kërkesa e tyre ishte të takohen me kryetarin e komunës, Shpend Ahmeti dhe jo me nënkryetarë.

“Nga ky takim na i ndërruan fjalët, na thënë që do të takohemi me kryetarin e komunës. Takuam nënkryetarin. Na i ndërruan fjalët”, tha ai.

Feim Bislimi, punëtor teknik në kompaninë “Beni”, tha se janë të keqtrajtuar edhe nga kompanitë.

“Neve na kanë lënë në sektor privat. Ata që s’kemi pasë të njohshëm na kanë qitë në privat. Jemi të keqtrajtuar edhe prej kompanive”, tha Bislimi.

Adem Borovci, punëtor sigurimi, tha se nuk u paguhen kontributet dhe nuk kanë të drejt t’i shfrytëzojnë as pushimet.

“Pagën se kemi marrë, kontributet nuk na paguajnë dhe as  pushimet s’kemi të drejtë me i shfrytëzu”, tha ai.

Në këtë protestë janë punëtorët teknikë të shkollave “Ismail Qemaili”, “Pjetër Bogdani”, “Eqrem Çabej”, “Naim Frashëri”, “Asim Vokshi”, “Hoxhë Kadri Prishtina”, “Gjergj Fishta”, “Dardania”, si dhe punëtorët e sigurimit dhe ata të pastrimit në qendrat e mjekësisë familjare të komunës së Prishtinës.

Të ngjashme