PSD: Kurti ra, kaq shkurt sa qëndroi, mjaftoi që ta tradhëtonin dëshirat

Prishtinë | 25 Mar 2020 | 23:36 | Nga Ekonomia Online

Partia Socialdemokrate ka reaguar pas votimit të mocionit për rrëzimin e qeverisë nga deputetët e Kosovës.

Sipas tyre Albin Kurti, ka rënë nga posti i kryeministrit aq shkurt sa qëndroi.

“Protagonizmi u shfaq në krye të herave. Por protagonizmi mori përmasa të rrezikshme kur u pa mungesa e vizionit dhe guximi për të vepruar në raport me dialogun me Serbinë, duke u fshehur pas çështjeve dytësore, pandershëm”.

Reagimi i plotë:

Kurti ra. Kaq shkurt sa qëndroi, mjaftoi që ta tradhëtonin dëshirat. Protagonizmi u shfaq në krye të herave. Por protagonizmi mori përmasa të rrezikshme kur u pa mungesa e vizionit dhe guximi për të vepruar në raport me dialogun me Serbinë, duke u fshehur pas çështjeve dytësore, pandershëm.

Argumenti i tij kryesor se marrëveshja me Serbinë është e dëmshme prandaj kuvendi e shkarkoi, nuk e shpjegon ikjen e tij. A nuk ështe pikërisht kjo arsye për të shkuar në dialog, tek e mbrama si një akt subverziv? Kanosja nga një marrëveshje e dëmshme është arsye për të qëndruar, jo për të ikur. Pozita e tij institucionale ishte ideale. Por jo. Kurti refuzoi të bëhet pjesë e procesit për dialog me Serbinë, jo për shkak të llojit marrëveshjes, e as për Kosovën, por vetëm për shkak të protagonizmit prapa të cilit fshihej frika.

Kurti trashëgoi një temë tejet të rëndësishme. Braktisi temën më të gjatë të aktivizmit të tij politik. Kurti zgjodhi ta luante populistin. Teksa fliste për zbulime të dokumenteve dhe krijonte konflikte me Thaçin ai dukej anakronik. Konteksti politik dhe dinamikat në raport me SHBA kërkonin një ndërmarrje serioze nga kryeministri Kurti. Tutje, çfarëdo dëmi eventual në marrëveshje që do ta dialogojë Kosova me Serbinë, përgjegjës do të mbahet edhe Kurti. Kundërshtimi i marrëveshjes nga pozita e kryeministrit do të ishte detyra e tij. Por për këtë duhet guximi që ai nuk e pati.

Mungesa e një projekti në rrafshin politik, në raport me dialogun me Serbinë dhe në rrafshin ekonomik, për zhvillim të vendit, ishin dy shtyllat problematike në Qeverinë Kurti. Retorika nuk është plan qeverisës. Vetëm shpikja e betejave meskine është ajo për cfarë do të mbahet mend Kurti në qeveri. Në këtë mënyrë, ai i priu rrëzimit të tij.

Paqja mes popujve dhe zhvillimi ekonomik do të duhej të ishte prioriteti i qeverisë së dalur nga zgjedhjet e 6 tetorit. Nuk ishin as njëra as tjetra. Pse do të duhej të qeveriste?

Të ngjashme