Ekonomia Online
FUNDIT

PSD me banner të Kurtit si “pinokio”, bën thirrje për protestë kundër Asociacionit

PSD me banner të Kurtit si “pinokio”, bën thirrje për protestë kundër Asociacionit

Partia Socialdemokrate (PSD), ka vendosur një banner me figurën e kryeministrit Albin Kurti i cili duket si “pinokio”, dhe njoftimin për mbajtjen e protestës kundër Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, raporton Ekonomia Online. Sekretari Organizativ i PSD-së, Nol Nushi, tha se arsye e këtij aksioni është ftesa për protestën e së shtunës që mbahet […]

Partia Socialdemokrate (PSD), ka vendosur një banner me figurën e kryeministrit Albin Kurti i cili duket si “pinokio”, dhe njoftimin për mbajtjen e protestës kundër Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, raporton Ekonomia Online.

Sekretari Organizativ i PSD-së, Nol Nushi, tha se arsye e këtij aksioni është ftesa për protestën e së shtunës që mbahet në sheshet kryesore të kryeqytetit. E sa i përket bannerit, Nushi pati një shpjegim.

“Është thirrje për protestën e 25 marsit që fillon në Sheshin e ‘Zahir Pajaziti’. Hunda e gjatë e kryeministrit Kurti është rruga e tij e gjatë e mashtrimit e popullizmit edhe e gënjeshtrës së tij në raport me dialogun me Serbinë. I gjithë pushteti i tij sa ishte në opozitë ishte dialogu me Serbinë, kundërshtimi i këtij dialogu, protestat më të mëdha kanë qenë të organizuar nga ai kundër ‘Zajednicës’, çka po ndodh sot është pranim i të gjitha atyre marrëveshjeve që ai i ka kundërshtu dhe pranim i ‘Zajednicës’”, tha ai.

Nushi tha se marrëveshja e Ohrit, e konfirmon dorëzimin e Kurtit përballë Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Mos të harrojmë duhet me kujtu për ditë, ndalimi i ‘Zajednicës’ përgjatë 10 viteve ka ndodhur me sakrifica të mëdha , qindra ditë burg të aktivisteve, kanë vdekur njerëz, janë arrestuar njerëz, janë shpenzuar kohë, mjete për ta bërë atë rezistencë që për 10 vite të mos formohet Asociacioni. Marrëveshja e Ohërit na konfirmoi që Kurti është dorëzuar”, u shpreh ai.

Duke folur për protestën e së shtunës, Nushi kërkoi që t’i bashkohen edhe anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët i konsideron si të mashtruar nga Kurti.

“Protesta e së shtunës është kundër kësaj marrëveshje të dëmshme dhe kundër mashtrimit. Pavarësisht se sa vota i ke, sa më shumë vota që i ke aq më i madh bëhet mashtrimi, në këtë rast Kurti e ka mashtruar elektoratin e vete, kjo është e rrezikshme për demokracinë dhe është e shëndetshme nëse ne dalim e të protestojmë e nuk lejojmë që kjo të na shitet si diçka e mirë. Unë pres që pjesë e protestës më së shumti të jenë anëtarët e VV-së sepse ata janë më të mashtruarit, ata e kanë votuar udhëheqësin e tyre për me i ndalë këto konvenime ndaj Serbisë”, tha në fund Nushi.

Ndiqni pamjet më poshtë:

Të ngjashme