PSD për 7 Mars, e kritikon Qeverinë për frikësim dhe shantazh ndaj mësimdhënësve

Prishtinë | 07 Mar 2023 | 13:04 | Nga Ekonomia Online

Partia Socialdemokrate e Kosovës ka thënë se Kosova aktualisht ka një qeverisje e cila mësimdhënësit i ka shndërruar në instrument politik.

Përmes një statusi në Facebook, PSD ka shkruar se kjo ditë mësimdhënësit dhe arsimin e gjen në situatë të vështirë.

“Në vend të politikave që mundësojnë sistem arsimor të mirëfilltë dhe progresiv, sot kemi një qeverisje që arsimin e ka shndërruar në instrument politik. Në vend të përpjekjes për ta rritur cilësinë, është rritur përpjekja për ta kontrolluar gjithë sistemin arsimor. Duke i frikësuar dhe shantazhuar mësimdhënësit, i hiqet arsimit dimensioni më i rëndësishëm – kultivimi i guximit për t’u shprehur lirshëm. Çdo përpjekje për riorganizim të sistemit arsimor, qeveria e lufton me të gjitha mjetet për qëllime të ulëta partiake, madje duke shkelur dhe Kushtetutën”, ka shkruar ndër të tjera PSD.

Megjithatë, PSD uron të gjithë mësimdhënësit të cilët sipas kësaj partie dhanë kontributin e tyre në shërbim të dijes, kurse gjithë sakrificën e bërë në çdo rrethanë që arsimi shqip të triumfojë.

“Duke i falënderuar të gjithë mësimdhënësit për rezistencën e treguar para çdo regjimi, edhe ndaj këtij regjimi sot, i ftoj të jenë unikë dhe të mos zmbrapsen para asnjë përpjekje autoritare për t’i disiplinuar. Dija nuk mund të jepet ndryshe, veç lirshëm dhe në liri.

Urime 7 marsi!”, thuhet në reagimin e PSD-së.

Të ngjashme