PSD shtron para qeverisë 205 mijë nënshkrimet kundër Asociacionit, “Kurti po e shkel vullnetin e qytetarëve”

Prishtinë | 06 Mar 2023 | 14:02 | Nga Artiona Çitaku Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Socialdemokrate (PSD) ka vendosur para Qeverisë së Kosovës, 205 mijë nënshkrimet e peticionit të vitit 2016 kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, tha se Albin Kurti po e shkel me të dyja këmbët vullnetin e qytetarëve.

Sipas tij, peticioni i shtrirë sot para shkallëve të Qeverisë është rruga mbi të cilën ka shkelur Kurti me dakordimin e tij në Bruksel. “Mbi këtë rrugë eci dhe u ngrit. Nga po e njëjta do të rrëzohet, sepse vullneti i shprehur kundër Asociacionit (2015) nuk e duron gjatë mohimin”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës e ka braktisur vullnetin qytetar dhe atë dyfish. Njëherë duke braktisur peticionin me mbi 205 mijë nënshkrime të vitit 2015 dhe 2016 kundër marrëveshjeve me Serbinë, veçanërisht asaj që është për Asociacionin dhe vullnetin e dytë atë të zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021”, u shpreh Molliqaj.

Kreu i PSD-së theksoi se kryeministri Kurti ka humbur legjitimitetin e tij politik. “Ai erdhi në pushtet që të mos pranojë Asociacionin, e bëri pikërisht të kundërtën. Dhe më shpejt se qeveritë e kaluara veproi. I dha tempo një procesi që ka destinacion Asociacionin. Paqja e përhershme nuk paska qenë as qëllimi”.

“Jo vetëm që e ka braktisur, por e ka shkelur në mënyrë brutale atë vullnet politik, në marrëveshjen që është nënshkruar, praktikisht që është dakorduar e që do të nënshkruhet. Kufiri mes Kosovës dhe Serbisë është edhe më i dobët sesa që ka qenë më herët, pra nuk ekziston më fjala kufi. Fjala Republikë nuk ekziston në askund, në asnjë rresht të asaj marrëveshje dhe po ashtu siç e dini ka hequr zyrtarisht dorë edhe më ia kërkuar njohjen Serbisë, pra jo vetëm që Serbia nuk na njeh, por tash ne jemi pajtuar që nuk e njohim atë”.

“Besoj që atë shkelje të vullnetit që e ka bërë në Bruksel kryeministri I Kosovës, ne sot këtu kemi sjellë nënshkrimet e mbi 200 mijë qytetarëve që çdo ditë ai ta shkelë edhe me këmbë, se le të bëhet sa më vizuale, le të bëhet sa më e dukshme dhe sa më e qartë që kryeministri aktual nuk përfaqëson vullnet politik. Në Kosovë tani ka edhe matje që janë bërë nga organizata kredibile që janë publikuar ditëve të fundit, 97% të respondentëve të Kosovës janë kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

“Marrëveshja e dakorduar në mes të Kurtit dhe Vuçiqit është dëm i përhershëm për shtetësinë dhe karakterin e saj unitar. Dobësimi i kufirit me Serbinë, heqja dorë nga njohja reciproke ndërmjet dy vendeve dhe pranimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe janë pjesët me të cilat Kurti, me të dyja këmbët e tij, ka shkelur mbi nënshkrimet e 205,000 qytetarëve që nënshkruan peticionin kundër marrëveshjes së Asociacionit. Dhe së dyti, po të njëjtin vullnet që erdhi nga zgjedhjet e fundit parlamentare të 14 shkurtit 2021”.

PSD-ja thekson se Marrëveshja është jashtëzakonisht e dëmshme sepse ka Asociacion e nuk ka njohje brenda. Prandaj, ky subjekt paralajmëron se do ta kundërshtojë fuqishëm. “Aktiviteti ynë do të vazhdojë. Protestat janë domosdoshmëri. Organizim është përgjigja e vetme”.

Të ngjashme