Nga ankthi dhe depresioni te marrëdhëniet e prishura e madje edhe ndërprerja e kontakteve me familjen – ekspertët thonë se fajësimi i prindërve mund të jetë hapi i parë drejt shërimit emocional, por jo fundi i procesit.
Gjithnjë e më shumë të rinj të Gjeneratës Z po fajësojnë prindërit për vështirësitë që hasin në jetë, nga problemet e shëndetit mendor deri te mungesa e motivimit, marrëdhëniet e dështuara dhe vështirësitë ekonomike.
Të rritur në një botë të karakterizuar nga rrjetet sociale, pasiguria ekonomike dhe krizat globale, ata po e shprehin gjithnjë e më hapur zhgënjimin ndaj mënyrës se si janë rritur.
Çfarë tregojnë të dhënat?
Sipas një sondazhi të fundit, 25 për qind e pjesëtarëve të Gjeneratës Z besojnë se prindërit janë përgjegjës për problemet e tyre fizike ose mendore. Rreth 17 për qind i fajësojnë për dështimet në marrëdhënie, ndërsa 15 për qind mendojnë se mungesa e motivimit buron nga edukimi që kanë marrë. Madje, 5 për qind deklarojnë se prindërit janë fajtorë për pothuajse çdo gjë të keqe që u ndodh.
Në rrjetet sociale, sidomos në TikTok, këto qëndrime janë bërë shumë të zakonshme. Shumë të rinj flasin për zhgënjimet e tyre, duke përmendur mungesën e mbështetjes emocionale, pritshmëritë e larta dhe ndjenjën se janë rritur në mjedise toksike.
Pse ndodh kjo?
Ekspertët shpjegojnë se brezi i ri përballet me një realitet krejt ndryshe nga ai i prindërve. Formula e dikurshme “studime – punë – banesë” sot është shumë më e vështirë për t’u arritur për shkak të kostos së lartë të jetesës dhe pasigurisë ekonomike.
Psikologia dhe autorja Jessica Anne Pressler thekson se faza e fajësimit nuk është domosdoshmërisht shenjë papjekurie.
“Faji tregon se ku ndodhet plaga, por nuk e shëron atë”, shpjegon ajo.
Sipas saj, pranimi i asaj që ka ndodhur është shpesh hapi i parë drejt shërimit emocional, transmeton Telegrafi.