Punëtorët e “Pastrimit” kërkojnë rritjen e pagave dhe shujtave

Prishtinë | 25 Jan 2023 | 15:13 | Nga Ekonomia Online

Sindikata e punëtorëve e Kompanisë Rajonale për Mbeturina “Pastrimi” ka protestuar para zyrës së kompanisë duke kërkuar rritje pagash, të shujtave dhe përmirësim të kushteve të punës.

Kryetari i sindikatës, Florim Cakiqi tha se me pagat aktuale është vështirësuar shumë jeta e punëtorëve të “Pastrimit”, marrë parasysh inflacionin.

“Duke marrë parasysh gjendjen financiare të punëtorëve dhe kushtet e vështira e kemi bërë një protestë paqësore dhe kemi kërkesa prej punëtorëve për rritjen e pagave, rritjen e shujtës, nivelizimin e pagave dhe kushtet e punëtorëve”, tha ai.

Kurse, Safet Berisha, përfaqësues i mekanikës, tha se rritje të pagave për herë të fundit kanë pasur para pesë vjetësh.

“Kemi probleme edhe nëpër pika të grumbullimit të bërllokut, sepse kur nuk ke kamionë nuk mundesh me heq as bërllok qysh duhet… 330 euro për punëtorë fizikë, shoferë 345 dhe mekanika 345 (janë pagat). Para pesë vjetëve na ka rritë rrogën 20 euro, që pesë vjet nuk e ka rritë rrogën e as shujtën, që pesë vjet jemi qysh jemi sot”, ka thënë Berisha.

Të ngjashme