Qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë bëhen bashkë me 14 qershor, nënshkruhen 41 marrëveshje

Prishtinë | 07 Qer 2023 | 11:46 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë do të mbajnë mbledhje të përbashkët të mërkurën me 14 qershor, raporton Ekonomia Online.

Këtë e ka bërë të ditur kryeministri i vendit, Albin Kurti, duke sqaruar se mbledhja do të zhvillohet në qytetin e Gjakovës.

“Sot një javë, do të jetë mbledhja e nëntë e përbashkët e Qeverisë sonë dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. E treta në më pak se dy vjet. Në mbledhjet e deritanishme kemi nënshkruar 41 marrëveshje bilaterale, ndërministrore dhe ndërinstitucionale. 39 nga to kanë gjetur zbatim të plotë, e dy tjerat janë në fazën finale të zbatimit”.

“Duke pasur parasysh ndikim pozitiv e të drejtpërdrejt që marrëveshjet e deritanishme kanë pasur në jetën e qytetarëve, bizneseve dhe shoqërive tona, si dhe shkallën e lartë të zbatimit të tyre, në mbledhjen e radhës do të nënshkruajmë edhe disa tjera në fushën e drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë dhe mbrojtës”. 

“Ndër to që vlen të përmendet është ajo për njohjen e ndërsjellë të ushtrimit të profesionit të avokatit dhe të ndërmjetësit në Zgjedhjen e Mosmarrëveshjeve. Përmes saj do të mundësohet ushtrimi i këtyre profesioneve në të njëjta kushte në të dy vendet duke garantuar edhe interesin më të mirë të vetë qytetarëve”.

“Në këtë mbledhje do të propozohet marrëveshja për lehtësimin e procedurave të kontrollit të produkteve me origjinë jo shtazore ashtu që importi, tranziti dhe eksporti i ushqimeve me origjinë jo shtazore, të mund të kryhen në Pikën e Inspektimit Kufitar ose në doganën më të afërt të vendit të destinacionit.  Si dhe arritja e një marrëveshje që përmes bursave të studimit do të nxisë mobilitetin e studentëve në të dy vendeve tona”.

“Mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive, nuk na bëjnë bashkë vetëm për një ditë, ato na afrojnë për herë e më shumë si shoqëri, si popull. Kësaj radhe Gjakova do të na bashkojë. E marrëveshjet që do të nënshkruajmë, do të na afrojnë edhe më shumë”.

Të ngjashme