Qeveria jep detaje për takimin Kurti- Várhelyi

Prishtinë | 25 Maj 2023 | 17:55 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës përmes një komunikate për media ka dhënë detaje për takimin që ka zhvilluar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi.

Në këtë takim sipas komunikatës me theks të veçantë u diskutua avancimi i agjendës së reformave evropiane, bashkëpunimi institucional në sundimin e ligjit, luftimit të krimit të organizuar dhe sigurisë energjetike, dhe integrimi rajonal.

Komisioneri Várhelyi sipas komunikatës u shpreh i impresionuar me rezultatet e arritura dhe theksoi se liberalizimi i vizave është si rezultat i luftës së korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Bashkë, ata diskutuan për të gjeturat e Raportit të Vendit për këtë vit, i cili konfirmon se Kosova ka shënuar progres në forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe ka intensifikuar aktivitetet legjislative, si dhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën e përshpejtimit të integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri Kurti ftoi komisionerin evropian edhe për më shumë bashkëpunim, sidomos në reformën në sistemin e drejtësisë, teksa u shpreh falënderues për ndihmën e vazhdueshme financiare të Bashkimit Evropian në shumë fusha, sidomos së fundmi në tejkalimin e krizës energjetike.

Të ngjashme