Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për gjykatat, me ç’rast ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se cilat pika do të përfshihen në ndryshiminn e ligjit.
Tahiri gjatë deklarimit ka njoftuar se me ligjin e ri do të ketë rritje të transparencës, raporton Ekonomia Online.
“Çdo dispozitë ligjore brenda ligjeve për gjyqësorin është në dispozitë të plotë edhe me raportin e komisionit të Venedikut, këto projektligje janë krijuar për të bërë një traditë juridike që Kosova ta bëjë një gjyqësor efikas, transparent në të cilin mund të besojnë qytetarët e Kosovës”, tha Tahiri.
Ai tha se ligji i ri, obligon të gjitha gjykatat në publikimin e aktgjykimeve brenda 60 ditësh.
“Rritja e transparencës, nga ligji i ri i obligon të gjitha gjykatat t’i publikojnë të gjitha aktgjykimet në afat prej 60 ditësh. Ky parim është i paraparë me praktikën e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut”, shtoi ai.
I pari i MD-së më tej, deklaroi se ndryshimi i këtij projektligji do t’ua mundësojë gjyqtarëve që me 5 vjet përvojë sa ka qenë më herët 10 vite, të bëhen pjesë e Gjykatës së Apelit.
“Ky projektligj për të zgjedhur gjyqtarët në gjykatën e Apelit kërkon së paku 5 vjet përvojë në vend të ligjit të mëparshëm sa ka qenë 10 vite, ndërsa për gjykatësit e Gjykatës Supreme kërkohen 8 vite përvojë punë në vend të 15 viteve sa kanë qenë me ligjin e mëparshëm. Këto ndryshime të kritereve mund të rrisin dukshëm numrin e kandidatëve gjyqëtarë që të mund të ushtrojnë funksione si gjyqtarë në Gjykatën e Apelit dhe në gjykatën Supreme të Kosovës”, tha ai.
Në këtë mbledhje qeveria miratoi edhe projektligjet e tjera që kanë të bëjnë me drejtësinë: atë për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, atë për Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe projektligjin për përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.