Qiramarrësit i drejtohen Komunës së Prishtinës dhe NPB-së me një letër publike për ngritjen e çmimeve të qerasë

Prishtinë | 03 Shk 2023 | 09:59 | Nga Ekonomia Online

Qiramarrësit e rrugës “Agim Ramadani” përmes një letre publike i’u janë drejtuar Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) dhe kryetarit të komunës së Prishtinës Përparim Rama në lidhje me ngritjen e çmimit të qerasë për m2 për lokale.

Në këtë letë qiramarrësit shprehën të indinjuar qe sipas tyre NPB-ja dhe komuna kanë rritur çmimin e qerasë në kohë krize.

“Ne jemi të indinjuar që NPB në bashkëpunim me Ju, z. Rama, keni gjetur mënyrën jo të duhur për të bërë ngritjen e qirasë për m2 në kohën më të pafavorshme për neve si qiramarrës, afaristë e familjar. Si i gjithë vendi, edhe ne po kalojmë kohën më të keq që nga paslufta për shkak të pasojave mbi dyvjeçare të pandemisë COVID-19. Përderisa kësaj i shtojmë edhe ikjen masive të popullatës në vendet perëndimore ne si afaristë që kemi për target kryesisht moshën rinore dhe të mesme vuajmë pasojat e këtyre dy trendeve të fundit dhe përballemi me rënie drastike të punës e që për pasojë mezi arrijmë t’ia dalim nga muaji në muaj. Ju, z. Rama, si kryetar i Prishtinës bashkë me NPB-në keni gjetur kohën më të papërshtatshme për të hapur çështjen e ngritjes së qirasë në një formë të prerë siç na u komunikua edhe nga takimi me zyrtarët e NPB-së”, thuhet në reagim.

Tutje në këtë letër thuhet se ngritja e çmimit të qerasë nuk është konsultuar më parë me ta dhe nga kjo situatë janë duke u dëmtuar bizneset.

Qiramarrësit po ashtu në këtë letër kanë paralajmëruar NPB-në dhe komunën e Prishtinës se do të vazhdojnë me protesta.

“Në rast se vendosni përfundimisht këtë shumë të qerasë astronomike për objektin ku jemi ne me qera, ne si qiramarrës, do të kalojmë në forma të tjera të protestës që nuk do ta keni të mundur ta aplikoni vendimin e marrë kokë më vete pa asnjë diskutim me ne si qiramarrës disavjeçar. Mos mendoni që përmes interesave të juaja të ngushta do të mund të na theni e të na shtyni t’i braktisim lokalet. Përgjigjen do ta keni shumë të ashpër ashtu siç i keni vendimet për ne”, thuhet tutje në letër.

Letra e plotë:

I nderuar kryetar Rama/Të nderuar autoritete të NPB-së,

Kjo ankesë i drejtohet kryetarit të komunës nga afaristët qiramarrës nga NPB të lokaleve në rrugën Agim Ramadani lidhur me çështjen e ngritjes së çmimi për m2 si më poshtë.

Ne jemi të indinjuar që NPB në bashkëpunim me Ju, z. Rama, keni gjetur mënyrën jo të duhur për të bërë ngritjen e qirasë për m2 në kohën më të pafavorshme për neve si qiramarrës, afaristë e familjar. Si i gjithë vendi, edhe ne po kalojmë kohën më të keq që nga paslufta për shkak të pasojave mbi dyvjeçare të pandemisë COVID-19. Përderisa kësaj i shtojmë edhe ikjen masive të popullatës në vendet perëndimore ne si afaristë që kemi për target kryesisht moshën rinore dhe të mesme vuajmë pasojat e këtyre dy trendeve të fundit dhe përballemi me rënie drastike të punës e që për pasojë mezi arrijmë t’ia dalim nga muaji në muaj. Ju, z. Rama, si kryetar i Prishtinës bashkë me NPB-në keni gjetur kohën më të papërshtatshme për të hapur çështjen e ngritjes së qirasë në një formë të prerë siç na u komunikua edhe nga takimi me zyrtarët e NPB-së.

Ju vëjmë në dijeni se në rast se edhe ju jeni mbrapa këtij vendimi NE SI QIRAMARRËS ju kundërshtojmë fort dhe pabindshëm në realizimin e kësaj ngritje të qirasë në këtë mënyrë. Duke llogaritur që ne si qiramarrës disavjeçar do duhej të krijonim një marrëdhënie bashkëpunimi si institucione e qytetar fillimisht e pastaj ne si klient NPB bashkë me Komunën e Prishtinës në mënyrë arbitrare sjellin vetëm njoftimin për rritje të qirasë gjë që nuk ndodhë as në një marrëdhënie të biznesit privat me klient. Nuk keni dhënë fare hapësirë negociuese në këtë rast dhe nuk keni qenë të gatshën as Ju e as NPB që të na konsulltojë paraprakisht që të arrijmë një modus të kësaj çështje të ngritur.

Andaj Juve, z. Rama, dhe autoritetit të sipërpërmendur i drejtohemi me këtë ankesë lidhur me vendimin përmes Njoftimit të pranuar më datë 27.1.2022, si dhe nr. Protokollit: 02-66/2 se duke pasur parasysh situatën pandemike të viteve të kaluara dëmi te ne është shumë i madh për shkak të llojit të biznesit që ne drejtojmë. Si biznes e kemi marrë me shumë vullnet hapësirën me dëshirë dhe vizion se gjërat do të shkojnë në drejtimin e mirë dhe të duhur. Por, fatkeqësisht gjërat kanë shkuar në të kundërtën dhe si biznese kemi vazhduar duke mos e marrë veten nga dëmet pandemike duke pasur parasysh dëmin të cilin as shteti e as mekanizmat si ju nuk na ndihmojnë ta riparojmë dhe të ringrihemi në normalitetin e parapandemisë. Ne si biznese e marrim si dëmin më të madh që do të mund të na shkaktonte dikush pas asaj që jemi dëmtuar nga pandemia sepse për ne është shumë e rëndësishme hapësira, por në rast se ju vendosni përfundimisht këtë çmim astronomik të qerasë atëherë është krejtësisht e papërballueshme. Është e papërballueshme edhe për ne si afaristë, si kryefamiljarë, si punëtorë e si qytetarë të Prishtinës. Andaj e kundështojmë fuqishëm që kjo tarifë të mos aplikohet sepse do të përballeni me kundërshtim tonin të fuqishëm deri në kthimin e qerasë në vlerën që ka qenë paraprakisht.

Nuk do të ndalemi me kaq dhe protestën tonë do ta keni te dera Juaj, kudo që këto institucione veprojnë kundër nesh, në rrugë e në hapësira publike e po gjithashtu që ta dini se do të ankohemi në të gjitha institucionet e mediat për këto shkelje që na bëni në fazën ku jemi si biznese. Ju tutje kështu ndihmoni shuarjen e biznesit tonë dhe e ndihmoni emigrimin e këtyre të rinjve në përmasa tragjike që janë pjesë e kompanive tona sepse rritja e qerasë ndikon te ta për arsye se kompanitë nuk mund t’i mbulojë shpenzimet dhe menjëherë punëtorëve duhet t’ju ndërprehet kontrata e punës me ne si kompani punëdhënëse e krejt kjo si pasojë e kësaj rritje që e bëni kokë më vete, pa asnjë analizë paraprake se në çfarë rrethana është tash rruga Agim Ramadani. Frekuentimi e targeti ynë në rrugën Agim Ramadani tashmë është zbehur dukshëm nuk është si në fillimvitet e 2000-ta dhe llogaritja e qerasë me këto shuma marramendëse për m2 është e pajustifikueshme si arsye e çfarëdo komisioni apo autoriteti që ka vendosur të hyjnë në fuqi.

I nderuar kryetar/Të nderuar autoritete të NPB-së,

Në rast se vendosni përfundimisht këtë shumë të qerasë astronomike për objektin ku jemi ne me qera, ne si qiramarrës, do të kalojmë në forma të tjera të protestës që nuk do ta keni të mundur ta aplikoni vendimin e marrë kokë më vete pa asnjë diskutim me ne si qiramarrës disavjeçar. Mos mendoni që përmes interesave të juaja të ngushta do të mund të na theni e të na shtyni t’i braktisim lokalet. Përgjigjen do ta keni shumë të ashpër ashtu siç i keni vendimet për ne.

Të ngjashme