QKMF-ja në Kamenicë kërkon më shumë testime në këtë komunë

Prishtinë | 03 Pri 2020 | 08:26 | Nga Ekonomia Online

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Kamenicë ka kërkuar nga Qendra Rajonale e Shëndetit Publik në Gjilan, e cila vepron në kuadër të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë, që të kryejnë edhe disa teste të tjera, meqë dyshohet se ka edhe persona të tjerë të cilët janë prekur me COVID-19.

Kërkesa e kësaj qendre vjen pas konfirmimit të 11 rasteve të infektuar me koronavirus në fshatin Topanicë të kësaj komune, përshirë edhe një foshnje pesëmuajshe. Foshnja është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, përkatësisht në Klinikën Infektive, shkruan KOHA.

Të 11 personat të cilët kanë rezultuar me COVID-19 i përkasin së njëjtës familje. Në këtë fshat do të testohen edhe 6 banorë të tjerë, të cilët dyshohen se janë infektuar, ndërsa lokaliteti është izoluar me qëllim të parandalimit të përhapjes së infeksionit.

Doktori Latif Sylaj, i cili është pjesë e stafit të QKMF-së në Kamenicë, ka deklaruar se dyshojnë që edhe persona të tjerë kanë pasur kontakte me familjen 11-anëtarëshe, e cila është diagnostikuar me COVID-19, dhe për këtë arsye ata kërkojnë testime të reja.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme