Qytetarët ankohen se u detyruan të testohen në laboratorë afër Aeroportit

Prishtinë | 11 Shk 2022 | 20:02 | Nga Ekonomia Online

Disa qytetarë që udhëtuan për në shtetet perëndimore gjatë vitit të kaluar ankohen se punëtorët e Aeroportit të Prishtinës i detyruan të testohen për COVID-19, në laboratorët afër, përkundër që kishin teste me vete.

Nga Aeroporti thonë se shteti ku kanë pasur për të udhëtuar ka kërkuar testin PCR, e që familja që është ankuar, ka pasur testin antigjen. Inspektorati shëndetësor, ndërkaq, ka thënë se nuk ka kompetencë për inspektimin në Aeroport

360 euro u ka kushtuar testi PCR për COVID-19, tre anëtarëve të familjes Berisha, nga Komuna e Kamenicës, të cilët vitin e kaluar udhëtuan për në Gjermani.

Megjithëse kishin nga një test antigjen, të cilin e kishin bërë në njërin nga laboratorët në Gjilan, punëtori i Aeroportit, si tregojnë ata, u kishte thënë se nuk mund të kalojnë me të dhe se duhet të testoheshin edhe njëherë, në njërin nga dy laboratorët që gjenden në terminalin e vjetër të Aeroportit të Prishtinës.

“Kanë udhëtuar me 23-in, kanë shkuar në Aeroport, edhe në Aeroport nuk i kanë lejuar me udhëtuar me testin antigjen, por i kanë detyruar me bë testin PCR, në aeroportin e vjetër të Prishtinës, ‘Adem Jashari’. Kështu që kanë pasur shumë problem e stres, se edhe aeroplani ka qenë në pyetje me ju ikë”, ka thënë familjari i tyre, Qamil Berisha.

Berisha, i cili kërkon që kjo shumë t’i kthehet, thotë se rastin do ta paraqesë edhe në gjykata të Kosovës.

“Kërkesa ime është kthimi i mjeteve financiare, ato që pa të drejtë i kanë detyruar, për mos me kërku tash edhe streset e ato gjërat e tjera”, ka thënë ai.

Nga aeroporti kanë thënë se e kanë trajtuar ankesën dhe se në kohën kur kjo familje ka udhëtuar, siç kanë cekur, “rregullat për hyrje në aeroportin e Basel/Mulhouse, kanë specifikuar që të paraqitet edhe testi PCR (përveç banorëve të Zvicrës) dhe udhëtarët nuk e kanë poseduar testin PCR, por testin antigjen, dhe kjo është arsyeja se pse iu është kërkuar një test shtesë (PCR) për lejim të pranimit në fluturim”.

Familja Berisha rastin e ka paraqitur në Inspektoratin Shëndetësor, i cili, sipas zëvendësit të kryeinspektorit, ka bërë një inspektim, porse nuk ka dalë të jetë adresa e duhur për t’u bërë zgjidhje.

Në Kosovë deri tash Ministria e Shëndetësisë, ka licencuar mbi 100 laboratorë privatë për teste kundër COVID-19.

Të ngjashme