Rakiq: Taksa duhet të hiqet, turp për BE-në që po hesht për moskrijimin e Asociacionit

Prishtinë | 25 Shk 2020 | 10:39 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka folur rreth situatës politike në Kosovë.

Kreu i Listës Serbe, një herësh edhe kryetar i pjesës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq, ka thënë se vendosja e taksës nga Qeveria e Kosovës ka krijuar edhe më shumë hendek në mes të kosovarëve dhe serbëve.

Në një intervistë për medien serbe “Novosti.rs”, transmeton lajmi.net, Rakiq ka thënë se ekziston një gatishmëri për të bashkëpunuar me Qeverinë e re të Kosovës, por që sipas tij, ka ende shumë pengesa.

“Qëndrimi i Listës Serbe është i qartë dhe publik. Ne jemi të gatshëm të punojmë me përfaqësues shqiptarë të zgjedhur në mënyrë të ligjshme për të punuar së bashku dhe për të adresuar problemet me të cilat ballafaqohet populli serb në Kosovë. Por kryesisht është përgjegjësia e qeverisë së sapokrijuar që administron institucionet në nivelin qendror”, u shpreh Rakiq.

Sipas tij, është ende herët të thuhet se çfarë do të bëj për serbët Qeveria e re e Kosovës.

Në këtë intervistë, Rakiq është pyetur edhe për idenë e shërbimit të detyrueshëm ushtarak si dhe për dëmshpërblimet e luftës dhe se sipas tij, këto qëndrime të Albin Kurtit, kanë bërë që Lista Serbe të mos jetë pjesë e koalicionit, por vetëm pjesë e qeverisë që udhëheq dy ministri.

“Pozicionet e Listës Serbe në institucione janë rezultat i mbështetjes plebishitare të qytetarëve tanë dhe nuk janë rezultat i një marrëveshjeje me partitë politike në pushtet në Kosovë. Ne nuk kemi lejuar që ministritë që udhëhiqen nga ne, t’i shërbejnë interesave të Kosovës. Ideja për shërbimin ushtarak të detyrueshëm dhe kompensimin e dëmeve të luftës, kanë qenë ndër arsyet pse ne nuk jemi bërë pjesë e koalicioni qeverisës dhe këtë koalicion nuk do ta mbështesim kurrë”, u shpreh Rakiq, transmeton më tutje lajmi.net.

Në anën tjetër, sa i përket arritjes së marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për linjën rrugore dhe hekurudhore, Rakiq, ka thënë se këto marrëveshje do të sillnin mundësi të mira ekonomike vetëm nëse hiqet taksa.

“Nënshkrimi i marrëveshjeve ka pasur për qëllim që të lidh sa më shumë njerëzit e Kosovës dhe të Serbisë dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Ne i jemi jashtëzakonisht mirënjohës presidentit Aleksandar Vuçiq dhe drejtorit të Zyrës së Kosovës, Marko Gjuriq. Autostrada dhe linja hekurudhore do të jenë shufra që do të krijojnë mundësi të mëdha për zhvillim ekonomik, por pas heqjes së taksës”, tha Rakiq.

Mirëpo sa i përket vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Rakiq ka thënë se kjo mund të ndodhë vetëm pas heqjes së taksës, transmeton më tutje lajmi.net.

Ai po ashtu ka kritikuar Bashkimin Evropian, i cili sipas tij, po hesht për moskrijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Sapo Kosova të heq tarifat, ekipi ynë negociator është gati për dialog. Edhe presidenti Vuçiq e ka përsëritur këtë disa herë. Kanë kaluar shumë kohë që nga vendosja e taksës dhe pasojat e saj nuk janë vetëm ekonomike, por kanë zgjeruar hendekun midis popullit serb dhe shqiptar. Kur bëhet fjalë për dialog, është turp që BE-ja, si garant, të heshtë për faktin se Kosova ende nuk e ka përmbushur detyrimin e saj të vetëm, formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, theksoi Rakiq.

Rakiq po ashtu ka bërë të ditur se në mungesë të një statusi të pazgjidhur për serbët që jetojnë në Kosovë ata po detyrohet që të pranojnë mbështetje nga Serbia.

Sipas tij, Serbia ka mbështetur serbët e Kosovës me 150 milionë euro dhe që nga ardhja e tyre në pushtet, janë hapur 100 vende të reja të punës në pjesën veriore të Mitrovicës.

Rakiq ka bërë të ditur se hapja e vendeve të reja të punës dhe mbështetja financiare që Serbia i jep serbëve në Kosovë, është mënyra se si i mbështesin serbët dhe i bindin që të qëndrojnë në Kosovë. 

Të ngjashme