Rama e Basha i japin fund krizës politike me marrëveshje zgjedhore

Prishtinë | 18 Maj 2017 | 16:42 | Nga

Duke vepruar nën presionin diplomatik, kryeministri Rama dhe lideri i opozitës Lulzim Basha kanë arritur një marrëveshje ku të gjitha partitë do të jenë pjesë e zgjedhjeve tashmë.

Tre muajt e ngërçit politik në Shqipëri përfunduan në orët e para të të enjtes pasi dy liderët kryesorë politik, kryeministri socialist Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike në opozitë Lulzim Basha thanë se kishin arritur një marrëveshje mbi pjesëmarrjen e të gjitha partive në zgjedhjet e ardhshme.

Negociatat e tensionuara që filluan të mërkurën me një tryezë të rrumbullakët të të gjitha partive përfunduan me Ramën dhe Bashën që dhanë dorën pas një bisede kokë më kokë që zgjati për më shumë se katër orë.

Se çfarë u ra dakord në takim do të zbardhet me detaje në 24 orët e ardhshëm ndërsa avokatët nga të dyja palët do të shkruajnë atë që u ra dakord verbalisht nga të dy liderët.

Baza e marrëveshjes është paketa e hartuar nga eurodeputeti David McAllister i cili erdhi si një negociator nga BE-ja në fund të prillit, paketë që u shty përpara nga Zv.Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Ye gjatë vizitës së tij të 15 majit në Tiranë.

Paketa McAllister ka në qendër garancitë se partitë në pushtet duhet të ofrojnë sigurimin e zgjedhjeve përfshirëse dhe të pranuara për opozitën.

Ajo përfshin shtyrjen e datës së zgjedhjeve dhe caktimin e përfaqësuesve të opozitës në qeveri, në poste në krye të procesit elektoral.

Marrëveshja gjithashtu përfshin fillimin e krijimit të komisioneve parlamentare që do të kontrollojnë gjykatësit dhe prokurorët në vend – pjesë e paketës më të gjerë të reformave në gjyqësor kërkuar nga BE-ja.

Basha tha se marrëveshja me Ramën e bënte të tepërt bojkotin e zgjedhjeve nga opozita dhe mungesën në parlament.

“Gjithçka ka ndryshuar dhe ajo që konsiderohej e pamundur muaj më parë është tani realitet,” tha Basha. “Nga nesër, do të bëhemi gati t’i japim shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme,” shtoi ai.

Opozita hoqi dorë nga kërkesa që Rama të jepte dorëheqjen si kryeministër. Përfaqësuesit e opozitës tani duhet të bashkëpunojnë me Ramën dhe ministrat në qeverinë e tij në menaxhimin e procesit elektoral.

Më herët, partitë opozitare kishin refuzuar të regjistroheshin në zgjedhjet e 18 qershorit, duke kërkuar largimin e kryeministrit dhe formimin e një qeverie teknike

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme