Rama: Presidenti është i frikësuar deri në palcë nga reforma në drejtësi

Prishtinë | 08 Kor 2019 | 18:24 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në seancën e posçme për ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, ka folur me tone të ashpëra ndaj këtij të fundit. Sipas Ramës, Ilir Meta duhet hetuar deri në fund nga Parlamenti. Rama e quajti Metën si një njeri të strukur nga frika deri në palcë nga Drejtësia. Sipas Kryeministrit, Ilir Meta jo thjesht e ka mbushur kupën, por e ka derdhur atë.

“Ilir Meta do të ishte politikisht për ne një kundërshtar që nuk duhet të lejuar të gabojë më tutje. Ilir Meta i strukur nga drejtësia hakërryes edhe qesharak në marrëzinë e tij udhëhoqi me tre kalorësit e tjerë një betejë politike. Ne jemi të detyruar ta ndalojmë ilir Metën të gabojë më tej. Për ne dinjiteti i këtij shteti është më i rëndësishmi. Ilir Meta duhet hetuar deri në fund nga ky Kuvend. Në këtë pikë graviteti i Kuvendit është një emërues që duhet të na bashkojë. Ilir Meta nuk është kundërshtari i qeverisë, ai sot është armiku i Kushtetutës. Nuk është më thjeshtë politikani i frikësuar deri në palcë nga Reforma në Drejtësi, ai sot është shëmbëlltyra e atyre që janë trembur nga Drejtësia. Ilir Meta është një kryetar shteti që i duket ambasada amerikane si njjë top ku ai do të vendosë gjoksin me kostum banje”, tha Rama.

Nis seanca për shkarkimin e Metës

Ka nisur seanca e jashtëzakonshme plenare për votimin e ngritjes së Komisionit Hetimor për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

I pari që mori fjalën nga foltorja e Kuvendit ishte deputeti i Partisë Socialiste dhe njëherësh i përzgjedhuri si kryetar i këtij komisioni, Ulsi Manja, i cili tregoi rrugën përmes të cilës ka kaluar procesi ligjor për shkarkimin e presidentitit. Manja deklaroi se kreu i shtetit ka përdorur një gjuhë aspak të përshtatshme dhe fyese ndaj anëtarëve të komisionit, duke shtuar se vendimi për shkarkimin e tij është i domosdoshëm për shkak të qëndrimeve anti-ligjore në vendimin për çdekretimin e 30 qershorit si datë të paracaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Kjo seancë vjen vetëm pak orë para se të nisë protesta e dhjetë në radhë në rang kombëtar e thirrur nga opozita e bashkuar joparlamentare, e cila kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama, zgjedhje të parakohshme dhe krijimin e një qeverie tranzitore.

Të ngjashme