Raporti i Global Initiative: Paratë e paligjshme në Kosovë investohen në bregdetin e Shqipërisë

Prishtinë | 28 Gus 2020 | 20:32 | Nga Ekonomia Online


Të ardhurat nga korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin janë burimi kryesor i prurjeve financiare të paligjshme në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut thotë raporti më i fundit i Nisma Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar.

Kjo bashkësi globale ekspertësh thotë se, tek burimet e paligjshme financiare në Maqedoninë e Veriut ndikohen shumë nga pozicioni i vendit në korridorin tranzit të njerëzve dhe mallrave nga Azia për në Evropën perëndimore.

Sipas raportit komponenti kryesor i prurjeve të paligjshme të krimit në Maqedoninë e Veriut është korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin, ndërsa statistikat qeveritare tregojnë se numri i këtyre krimeve po rritet vazhdimisht vit pas viti.

“Me gjithë përpjekjet e shumta anti-korrupsion, ky problem mbetet shumë i përhapur në formën e ryshfeteve për favore e shërbime, që duhet të jetë forma më e lehtë për t’u eliminuar. Kjo tregon se kemi të bëjmë me një traditë tolerance ndaj korrupsionit dhe pushtetit të dobët të ligjit. Paratë zakonisht dalin nga Maqedonia e Veriut drejt llogarive në parajsa financiare dhe juridiskione sekrete me taksa shumë të ulëta, ku nuk janë të detyruar që të raportojnë mbi identitetin e pronarit të llogarisë bankare”, thuhet në raport.

Bogodorica, Tabanovce dhe aeroporti ndërkombëtar i Shkupit janë pikat e kalimit kufitar ku janë kapur sasitë më të mëdha të valutës së huaj që po hynte në vend ndërsa transfertat e shpejta të parave janë një tjetër kanal për kalimin e fondeve të paligjshme në Maqedoninë e Veriut vijon më tej raporti.

Edhe në Kosovë situata paraqitet e njëjtë pasi komponentit kryesor i të ardhurave të paligjshme është korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin.

Për Kosovën raporti thekson se, ndërtimi i rrugëve është një nga sektorët më të ekspozuar ndaj korrupsionit me kontrata publike.

“Për shembull, janë vërejtur disa raste të shkeljeve të tenderit për ndërtimin e autostradës së Gjilanit, dhe projekteve të tjera”, thuhet në raport.

Në Kosovë mbetet problem dhe trafikimi i drogës dhe qenieve njerëzore duke përfituar nga pozita gjeografike e vendit.

Po për shkak të pozitës gjeografike por edhe nga kufijtë e ekspozuar shtuar dhe zonën e kontestuar në veri, Kosova është bërë qendër e kontrabandës së mallrave të falsifikuara dhe tregtisë së paligjshme, veçanërisht cigareve.

“Mallrat shpesh dalin nga vendi nëpërmjet pikave ‘alternative’ të kalimit të kufirit, zakonisht nëpër male apo zona të tjera me terren të vështirë. Grupet e krimit të organizuar nga Kosova bashkëpunojnë me rrjete më të mëdha kriminale në Ballkanin perëndimor për prodhimin dhe kontrabandën e cigareve, me lidhje që shkojnë deri në Lindjen e Mesme. Kanalet e pastrimit të parave në Kosovë vazhdojnë të bazohen tek paratë kesh”, vë theksin raporti.

Një tjetër sektor me rrezikshmëri të lartë të pastrimit të parave janë dhe lojrat e fatit, pavarësisht se kumari është ndaluar me liq në vitin 2019, një numër i madh ish-kazinosh dhe pikash bastesh janë kthyer në kafene, restorante dhe hotele, ku lojërat e fatit dhe pastrimi i parave vazhdon.

Të ngjashme