Ratifikohet marrëveshja e Kredisë për “Banimi social adekuat”

Prishtinë | 23 Maj 2024 | 11:52 | Nga Flutura Sogonjeva Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me 80 vota për, është votuar ratifikimi I Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZHKE) për Projektin “Banimi social adekuat”, raporton Ekonomia Online.

Për këtë marrëveshje nuk pati asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Për qëllimin e këtij projekti, foli ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

“Republika e Kosovës, përkundër që nuk jemi anëtar në Këshillin e Evropës, raporte tashmë kemi me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës dhe në kuadër të thellimit të këtij raporti kemi nënshkruar edhe marrëveshjen e fundit, pra që është për financimin e projektit për “Banimin social adekuat”. Qëllimi kryesor i këtij projekti është zhvillimi i sistemit të banimit social në Kosovë dhe ngritja e numrit të njësive të banimit në vend. Marrëveshja përfshin ngritjen e njësive të banimit social, kjo të bëhet duke renovuar njësitë ekzistuese, shndërrimin e ndërtesave ekzistuese në banesa të reja sociale, ndërtimin e banesave të reja të banimit social e të tjera”, deklaroi Murati.

Lidhur me këtë marrëveshje, sqarime kërkoi deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha.

“Për mua ka shumë rëndësi ta kuptoj se në bazë të cilave kritere do të bëhet përzgjedhja e familjeve, në cfarë mënyre do të kooperohet me komunat të cilat do të jenë bartëse qoftë të procesit të ndërtimit në situata të caktuara ose menaxhimit të stokut të këtyre banesave në një të ardhme kur ato ndërtohen, kur krejt këto kritere i përcakton Ligji për Banimin Social”, tha Hoxha.

Edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ngriti shqetësime për këtë marrëveshje.

“Problemi kryesor me këtë marrëveshje është kohëzgjatja nga momenti që është iniciuar e deri tash…Janë humbë të gjitha afatet kohore për këtë marrëveshje…”, tha deputeti Hoti.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka sqaruar se kush përfiton nga marrëveshja për banimin social adekuat, që u miratua sot në Kuvendin e Kosovës.

Aliu tha se janë kategoritë sociale ato që përfitojnë, derisa tha se përfituesit e banesave sociale nuk bëhen pronarë të këtyre banesave, por përfitojnë vetëm në kohën sa janë kategori sociale.

“Kur flasim për banimin social, janë kategoritë sociale ato që përfitojnë. Banimi social është përherë në pronësi të shtetit dhe menaxhojnë komunat me banimin social dhe monitorohen nga niveli qendror. Varësisht prej kategorive sociale, janë edhe përfituesit e banesave. Përfituesit e banesave sociale nuk bëhen pronarë të banesave sociale, por përfitojnë në periudhën sa janë kategori sociale, Në momentin që ata dalin nga kategoria sociale, ata më nuk mund të jenë përfitues të banimit social”, deklaroi Aliu.

Ai foli edhe për kategoritë që përfitojnë.

“Janë pesë kategori: Kategoria shumë e varfër, kategoria e varfër dhe e cënueshme, me të hyra të ulëta, me të hyra të ulëta mesatare dhe të hyra mesatare. Kur folëm për shpërndarjen e banimit, janë komunat ato që aplikojnë me lokacione konkrete brenda zonave urbane dhe analizohen marrëdhëniet e këtyre lokacioneve me zonat rreth me infrastukturën që kanë”, tha Aliu.

Aliu tha se kanë menduar që të ketë një kombinim mes banimit social dhe banimit të përballueshëm.

“Banimi i përballueshëm është banimi që përfundon si pronë e pronarëve të rinj, i cili nuk shkon me këtë kredi por me buxhetin e Republikës së Kosovës. Rastet sociale brenda lagjeve ku ka banime të rregullta dhe do të jenë me banim të përballueshëm që do të jenë kategoritë e shërbyesve civilë, kategoritë madje edhe nga sektori privat që pagat e tyre janë të minimizuara”, tha Aliu.

Kjo marrëveshje kaloi me 80 vota për, asnjë votë kundër, asnjë abstenim, derisa deputetët e PDK’së nuk morën pjesë fare në votim.

Të ngjashme