Reagon Lista Serbe, thotë se një serb është plagosur nga Policia e Kosovës në veri

Prishtinë | 23 Jan 2023 | 15:23 | Nga Ekonomia Online

Lista Serbe ka reaguar në lidhje me incidentin që ka ndodhur të hënën në Bistricë të Leposaviqit.

Në reagimin e tyre thuhet se nga të shtënat me armë është plagosur një serb i cili sipas tyre quhet Miljan Deleviq.

Lista Serbe e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për dërgimin e njësiteve policore në veri të Kosovës.

Sipas Listës Serbe, Policia e Kosovës, qëllimshëm ka qëlluar për ta vrarë serbin i cili sipas tyre vetëm është plagosur.

Incidentin e ka konfirmuar edhe Policia Kosovës, por nuk kanë bërë të ditur nëse ka pasur të plagosur.

Sipas policisë, të hënën e 23 janarit në Bistricë të Leposaviqit, teksa një njësi policore ishte duke ruajtur rendin dhe sigurinë publike ka tentuar ta ndalojë një veturë e cila gjatë ngasjes ka goditur automjetin e policisë.

Kjo sipas policisë ka rrezikuar drejtpërdrejt jetën e zyrtarëve policorë andaj për ta neutralizuar rrezikun ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri.

Sipas njoftimit, personat e dyshuar, së bashku me mjetin e tyre janë larguar nga vendi i ngjarjes, përderisa hetimet lidhur me rastin janë duke u kryer, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka njoftuar edhe Inspektoratin Policor të Kosovës për procedura të mëtejme.

Të ngjashme