Reçica: Adem Demaçi mbetet udhërrëfyes i përhershëm i idealit të lirisë

Prishtinë | 26 Kor 2026 | 16:18 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i zgjedhur nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Elmi Reçica, ka përkujtuar sot Nderin e Kombit, Adem Demaçi, në 8-vjetorin e kalimit të tij në amshim.

Reçica bëri homazhe pranë varrit të Demaçit, së bashku me bashkëveprimtarë dhe bashkëluftëtarë të tij, duke vlerësuar lart kontributin e jashtëzakonshëm që ai dha për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Baca Adem ishte simbol i qëndresës, i sakrificës dhe i përkushtimit të palëkundur për lirinë e Kosovës. Me idealet, vizionin dhe autoritetin e tij, ai frymëzoi breza të tërë dhe u bë një nga figurat kyçe të rezistencës sonë kombëtare. Si përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai i dha zë aspiratës së popullit tonë për liri, drejtësi dhe pavarësi në periudhat më vendimtare të historisë sonë”, ka shkruar Reçica.

Sipas tij, jeta dhe vepra e Adem Demaçit mbeten udhërrëfyes për brezat që vijnë, dëshmi e forcës së idealit dhe e dashurisë së pakushtëzuar për atdheun.

“Në këtë përvjetor e kujtojmë me respekt të thellë, krenari dhe mirënjohje të përhershme. Lavdi e përjetshme Nderit të Kombit, Adem Demaçi!”, përfundon reagimi i deputetit Elmi Reçica.

Të ngjashme