Rëndësia e mësimeve dhe e mendimit kritik tek adoleshentët

Prishtinë | 17 Tet 2022 | 14:57 | Nga Ekonomia Online

Jetojmë në një botë pothuajse të digjitalizuar. Mënyra se si i përpunojmë informacionet (të verifikuara dhe të pa verifikuara), që i marrim si të mirëqëna nga Interneti, kryesisht përmes rrjeteve sociale është shqetësuese.

Digjitalizimi global, pa dyshim që ka kontribuar në përmirsimin edukativo- shoqëror, përmes aplikacioneve ku qasjen mund ta kenë të gjithë, dhe si rrjedhojë hendeku gjeografik pothuajse është zhdukur me anë të komunikimit dhe pagesave apo shërbimeve ‘online’, edhe tregtia globale ka pasur zhvillim të hovshëm socio-ekonomik.

Por nga ana tjetër, qasja e pakontrolluar në rrjetet sociale, përmbajtja e materialeve shqetësuese apo eksplicite, ka qenë edhe çmimi që ka paguar e gjithë shoqëria si shkëmbim. Të gjitha këto të dëmshme, jo vetëm për zhvillimin normal kognitiv, por në shumë raste edhe në kontribuimin e sjelljeve të dëmshme tek adolshentët, dhe jo vetëm. Së fundmi, shkencëtarët janë duke hulumtuar pasojat e trendeve, të tilla si: Tiktoku dhe Instagrami

Sistemi i edukimit apo metodologjia se si ne i edukojmë nxënësit ka mbetur pothuajse e pandryshuar, i njëjtë me sistemet e kaluara edhe pse shoqëria jonë ka përjetuar ndryshime jo vetëm në mënyrën se si ne mësojmë, por dhe në mënyrën se si e trajtojmë atë që mësojmë. Si rrjedhojë, qasja e nxënësve për kapjen e mësimeve (me gjithë pajisjet moderne) ka ngecur, apo më mirë të themi i gjithë sistemi edukativo-arsimor ka nevojë për një reflektim serioz.

Kur flas per ngecje në sistemin edukativ, fillimisht i referohem rezultateve të (PISA 2018). Së dyti, i referohem po ashtu, edhe metodologjisë së mësimdhënies lokale, e cila ka mbetur në margjinat e notimit ad hoc, dhe ligjërimit didaktik.

Atëherë çfarë na tregojnë ‘Pisa’ rezultatet?

Atë që askush nuk e ka pritur, apo më mirë të themi të gjithë e kemi ditur dhe kemi heshtur ndaj realitetit të dhimbshëm social, dhe si fajtor kujdestar rëndom kemi gjetur ‘Tranzicionin shoqëror’ që vetëm tek ne po zgjat me dekada, dhe që fatkeqësisht nuk po i shihet fundi.

Konkluzionet se nxënësit nga Shqipëria, e veçanërisht nga Kosova kanë vështirësi në lexim dhe esencialisht nuk kuptojnë atë që lexojnë janë alarmuese për të gjithë ne.

Mësimet përmendësh apo didaktike, mos aplikimi i shkrimit (pas leximit) janë ndër pikat kyçe që na dallojnë nga vendet e zhvilluara, të cilat kanë arritur nivele më të avancuara të edukimit kritik dhe aplikimeve të diskutimeve në grup, përmes pyetjeve mbi temën, leximin dhe konkluzionit me shkrim. Këto në fakt janë aktivitete prioritare, si dhe mënyra e duhur që të nxisim nxënësit të fillojnë të mendojnë për atë që lexojnë, e më pas të shkruajnë qartë dhe të arrijnë në konluzione

Por çfarë është në fakt mendimi kritik dhe si të shkruajmë qartë një ese?

Mendimi kritik sipas studiuesit amerikan E. Glaser, është një gërshetim mes analizës, logjikës, komunikimit e deri tek formimi i opinionit kritik, përmes së cilit do të jemi aftë jo vetëm të zgjidhim apo vëmë në dyshim problemet me të cilat përballemi, por edhe të nxjerrim ide të reja dhe krijuese duke u bërë aktivë në përpunimin e temës, e jo duke qenë indiferentë apo vëzhgues

Përmes leximeve nxënësit zhvillojnë aftësinë të komunikojnë, analizojnë, vlerësojnë, shpjegojnë dhe, në fund fare, drejtojnë të menduarit e tyre nga një fushë që shpesh vjen me supozime para ekzistuese apo hamendësime.

Prandaj fokusi prioritar mbetet se si t’i mësojmë fëmijët të përqendrohen e të mendojnë logjikisht për një situatë të caktuar.

Gjatë ligjerimeve gjithnjë i pyes studentët e mi: “Nga e dini ju këtë?” dhe “Si keni arritur deri në këtë përfundim?” nëpërmjet këtyre pyetjeve synimi im kryesor është zhvillimi i vlerësimit mbi shpjegimet logjike të formimit të mendimit kritik.

Kjo do të thotë që të mos mësosh thjesht përmendësh, por se si duhet organizuar leximi në koncepte, parime dhe teori, megjithatë përpiqemi të kemi parasysh kontekstin mjedisor dhe ekspozimin e mëparshëm të studentëve ndaj qasjes së aplikuar.

Se sa i rëndësishëm është drejtshkrimi dhe të menduarit kritik, na tregojnë statistikat e fundit nga kolegjet prestigjioze ndërkombëtare siç janë Harvard dhe Oxford, ku ndër të tjera thuhet se studentët më të suksesshëm janë ata studentë që zotërojnë nivele të larta të menduarit kritik dhe shkrimet eseike.

Për më tepër, sipas një studimi nga Shoqata e Kolegjeve dhe Universiteteve Amerikane rreth 90% e punëdhënësve e shohin të menduarit kritik si “shumë të rëndësishëm” për punësim dhe vendim-marrje në hierarkinë e organizatës.

Pa dyshim shoqëria jonë ka nevojë për mendimtarë të zellshëm, të ditur, dhe mbi të gjitha, për kritikë të aftë, që do të jenë në gjendje të debatojnë për temat sociale, kombëtare e ndërkombëtare, nisur nga pikëpamje të studiuara e shumëplanëshe, si dhe duke përdorur burime të mirëfillta informacioni e duke përçuar tek lexuesit, dëgjuesit apo shikuesit njohuri dhe vlera të mëtejshme. Ka ardhur koha që të fokusohemi më shumë e ta drejtojmë vëmendjen tek brezi i ardhshëm, tek ata që do të na përfaqësojnë nesër në arenën ndërkombëtare e për të cilët do të ndihemi krenarë.

Por, për të arritur deri aty do të na duhet ende shumë punë, le t’i drejtojmë nxënësit dhe energjitë e tyre drejt leximit, kuptimit, dhe analizës kritike, duke u munduar të lëmë pas banalitetin shoqëror e televiziv që na rrethon.

*Arlinda Gjebrea është linguiste dhe mësuese, themeluese e akademisë “Smart Thinking” në Tiranë

** Arsim Ajeti është konsulent dhe ligjërues.

Të ngjashme