Ekonomia Online
FUNDIT

Rinumërohen 161 vendvotime, aprovohen 36 mijë vota nga diaspora dhe refuzohen 14 mijë

Rinumërohen 161 vendvotime, aprovohen 36 mijë vota nga diaspora dhe refuzohen 14 mijë

Në Qendrën e Numrimit dhe Rezultateve, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka mbajtur konferencë lidhur me progresin në procesin e rinumërimit dhe të aktiviteteve tjera që po zhvillohen në këtë qendër, raporton Ekonomia Online. Elezi ka thënë se janë duke vazhduar me procesin e rinumërimit të 494 vendvotimeve. Po ashtu, Elezi tha se është duke […]

Në Qendrën e Numrimit dhe Rezultateve, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka mbajtur konferencë lidhur me progresin në procesin e rinumërimit dhe të aktiviteteve tjera që po zhvillohen në këtë qendër, raporton Ekonomia Online.

Elezi ka thënë se janë duke vazhduar me procesin e rinumërimit të 494 vendvotimeve.

Po ashtu, Elezi tha se është duke vazhduar edhe procesi i vlerësimit të pakove që kanë ardhur nga diaspora.

Sipas tij, deri të premten mund të përfundojë rinumërimi i vendvotimeve, kurse vlerësimi i pakove nga diaspora gjatë vikendit.

Ai deklaroi së rezultatet përfundimtare do të shpallen javën e ardhshme.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore me qëllim të përmbylljes së procesit zgjedhor. Pikërisht me qëllim që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mund të shpall sa më shpejt rezultatet përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët, ka shtuar kapacitetet e numërimit në QNR, e po ashtu, edhe kapacitetet e shërbimit votues që po bën vlerësimin e pakove të supozuara me fletëvotime nga jashtë Kosovës.  Deri më tani janë rinumëruar rreth 33% e vendvotimeve apo 161 nga 494 sa është numri i përgjithshëm i tyre”.

“Arsyet tashmë i kemi bërë të ditura, por po i rikujtoi se kanë të bëjnë me: bartje të gabuar të votave në formularin e subjekteve politike (35 vendvotime); bartje të gabuar të votave në formularin e kandidatëve (6 vendvotime); kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik (370 vendvotime); dhe subjekti ka vota ndërsa kandidatët jo dhe anasjelltas (83 vendvotime)”.

“Po ashtu, në këtë qendër, shërbimi votues i KQZ-së është duke vijuar me procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur nga jashtë Kosovës”.

“Sipas të dhënave më të fundit janë hapur 31 mijë e 164 pako të supozuara me fletëvotime, prej nga kemi të aprovuara 35 mijë e 834 zarfe me fletëvotime dhe 14 mijë e 200 zarfe të refuzuara. Arsyet e mosaprovimit të tyre janë të ndryshme dhe si në vijim: 6 mijë e 309 zarfe janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; 4 mijë e 521 zarfe janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit sepse nuk kanë dëshmuar kriteret ligjore; 991 votues kanë dërguar fletëvotime nga dy herë; 1 mijë e 808 zarfe të dërguara nga votues të paidentifikuar (votim grupor); 571 zarfe të dërguara nga votues të cilët kanë bashkangjitur dokumente jovalide për identifikim”.

Të ngjashme