Rohde: Nuk do të lejojmë një “Republikë Serbe” në tokën e Kosovës

Prishtinë | 04 Mar 2023 | 09:26 | Nga Ekonomia Online

Propozimi i planit gjermano-francez për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi nuk parashikon asnjë “Republikë serbe” në tokën e Kosovës. Kështu thotë Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.

Ai ka theksuar se Gjermania i gëzohet rezultateve pozitive të dialogut në takimin e Brukselit ku palët deklaruan se pranojnë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Ai theksoi se në dhjetë ditët e ardhshme, Kosova dhe Serbia pritet bëjnë përparim vendimtar, në mënyrë që të sqarohet mekanizimi i implementimit të marrëveshjes.

Presidenti i Serbisë Vuçiq dhe Kryeministri Albin Kurti të hënën në Bruksel kanë pranuar planin gjermano-francez për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Por, propozimi ende nuk është nënshkruar. Cilat janë pritjet tuaja?

Jörn Rohde: Fillimisht gëzohem shumë që kemi rastin të takohemi dhe të flasim përsëri për RTK-Radio. Natyrisht, gëzohemi shumë për rezultatet pozitive të dialogut në takimin e nivelit të lartë, që u mbajt të hënën në Bruksel. Siç e thatë dhe ju, të dyja palët janë deklaruar se pranojnë propozimin e Bashkimit Evropian, i cili është përpiluar me iniciativën gjermano-gjermano-franceze. Siç e dimë, tashmë edhe Qeveria gjermane e mbështet shprehimisht dialogun, që po udhëhiqet nga BE-ja dhe përpjekjet e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Propozimi është një mundësi e madhe për të bërë një hap të madh përpara për arritjen e një normalizimi gjithëpërfshirës dhe kjo mundësi duhet të shfrytëzohet nga palët. Prandaj, ishte shumë e rëndësishme që palët u takuan në Bruksel dhe u pajtuan në parim për pranimin e këtij propozimi, Megjithatë, disa çështje thelbësore ende kanë mbetur të hapura. Kështu, Kosova duhet të tregohet e gatshme të flasë lidhur me Asociacionin e komunave serbe dhe tani ajo që mbetet është implementimi i

aneksit të propozimit, sepse pa u pajtuar për zbatimin e aneksit zor se do të jetë i mundur zbatimi i marrëveshjes. Tani presim që bisedimet të vijojnë në mënyrë konstruktive dhe të dyja palët, të themi ashtu, të tregojnë angazhim politik.

Bashkimi Evropian tashmë një kohë të gjatë është i angazhuar dhe ka investuar në stabilitetin e rajonit. A është propozimi gjermano-francez një zgjidhja përfundimtare e problemit mes Kosovës dhe Serbisë?

Jörn Rohde: Jo, nuk është, nuk e sjell atë! Ne e kemi thënë në mënyrë shumë të qartë se kjo është vetëm një hap i ndërmjetëm në rrugën drejt normalizimit të plotë dhe gjithëpërfshirës. Pika kryesore e këtij plani, thënë ashtu, është vendosja e trenit në binarë të rregullt dhe nëse marrëveshja do të zbatohet, atëherë i jemi afruar qëllimit pasi kjo është njohje de-fakto e Kosovës nga Serbia.

Siç e tha edhe vetë Kryeministri Albin Kurti, për dallim prej tij, Presidenti Vuçiq, të hënën, nuk ishte i gatshëm të vendoste nënshkrimin në planin për normalizimin e marrëdhënieve. A është kjo një indice se ai nuk do ta nënshkruajë fare

propozimin?

Jörn Rohde: Në këtë kontekst, dëshiroj të theksoj, ashtu siç ka thënë edhe zëdhënësi i BE-së, se ne presim nga të dyja palët, që t’i përmbahen asaj për të cilën janë zotuar dhe kanë premtuar të hënën në Bruksel, pra se e kanë pranuar këtë dokument dhe jo të thonë gjëra që bien në kundërshtim me zotimet e tyre. Unë mendoj se tani është çasti i duhur në mënyrë që palët të fillojnë me zbatimin e të gjitha detyrimeve dhe aspekteve, që dalin nga kjo marrëveshje, përfshirë edhe detyrimet dhe obligimet nga koha e kaluar si për shembull, zotimi për të mos penguara anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Menjëherë pas takimit pati interpretime të ndryshme nga palët për sa i përket marrëveshjes për normalizim. A është gjithçka e definuar qartë në marrëveshje, apo ka vend për keqkuptime?

Jörn Rohde: Hollësitë janë në aneksin për implementim. Natyrisht, duhet të ketë sqarim të këtyre detajeve. Por ta përsëris edhe një herë atë që thashë më parë, se nuk duhet thënë gjëra që bien në kundërshtim me zotimet e dhëna, pasi tashmë udhëheqësit politikë të të dyja vendeve kanë dhënë fjalën e tyre dhe duhet të tregojnë zotësinë për zbatimin e marrëveshjes. Por, ajo që është e shkruar në ato dhjetë, apo 11 pika, që janë brenda

marrëveshjes, duhet të zbatohen dhe kjo do të sqarohet në hollësi përmes aneksit të marrëveshjes.

Pika kontestuese e planit, momentalisht është Asociacioni i komunave serbe. A nuk ekziston mundësia që një asociacion i tillë të kthehet në një rast precedent për vendet fqinje dhe të paraqesë rrezik për destabilizimin e rajonit?

Jörn Rohde: Tani unë nuk dua të deklarohem për gjëra hipotetike, por mund të them një gjë: ka një obligim që është marrë përsipër më herët për Asociacionin. Mirëpo, ne e kemi thënë hapur dhe në mënyrë krejt të qartë si partnerë dhe miq të ngushtë të Kosovës, pra ne pesë vendet eKuintit, e kemi bërë të qartë atë çfarë nuk duam dhe çfarë nuk mund të ndodhë, e kjo është një “Republikë serbe” në tokën e Kosovës. Kjo pra, është diçka që as mund të merret me mend dhe larg çdo parashikimi. Ajo që mund të kalojë, për shembull, është ajo që para disa muajsh propozoi një organizatë joqeveritare gjermane: “Fondacioni Friderich Ebert” dhe unë deri më sot, nuk kam dëgjuar askënd, që të më thotë se ky propozim i “Fondacionit Fridirch Ebert” është në kundërshtim me vendimin e Kushtetutës së Kosovës të vitit 2015. Ajo që tani do të kisha dashur, është që Kosova të përmbush obligimin që ka marrë dhe të propozojë vetë një statut për Asociacionin.Kjo është një obligim që ka marrë Kosova dhe jemi në pritje të kësaj iniciative.

Të ngjashme