Rrahmani kërkon anulimin e vendimit të Inspektoratit për specializantët

Prishtinë | 04 Maj 2017 | 12:42 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka informuar sot kabinetin qeveritar për situatën rreth konkursit për specialistët e papunë.

Rrahmani ka shpjeguar se me propozimin e MSh-së, Ministria e Financave ka propozuar që të ndahen 220 vende të lira dhe buxheti për punësimin e këtyre specialistëve të papunë, që me vendim të Kuvendit është futur në Ligjin për Buxhetin.

“Ligji i Buxhetit na ka obliguar ne që të marrim të gjitha masat për sistemimin e këtyre specialistëve të papunë në institucionet tona shëndetësore. Ne krahas hartimit të listës së specialistëve të papunë ndërkohë jemi dakorduar dhe jemi harmonizuar edhe me Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, pa anashkaluar edhe mundësinë e sistemimit të stomatologëve sidomos dhe të disa profileve tjera edhe në nivele komunale të institucioneve shëndetësore në kujdes parësor. Duke u bazuar në kërkesat ose nevojat e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar dhe profilit të specialistëve që i kemi pas të specializuar, ne kemi shpallur konkursin për Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe një pozitë për Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut”.

“Më vonë mendojmë, që është krijuar një situatë e panevojshme me vendimin e Inspektoratit të Punës që ja mohon të drejtën ligjore Ministrisë së Shëndetësisë për shpalljen e konkursit për punësimin e këtyre specialistëve në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar, gjë që mendoj se nuk mund të ndodhë ndryshe, pa rishikim të buxhetit, sepse ne i kemi mjetet në Ministri të Shëndetësisë dhe i kemi pozitat, që burojnë nga Ligji aktual i Buxhetit”.

Ministria Rrahmani ka kërkuar që kryeinspektori i Punës duhet ta anulojë vendimin e inspektorit përkatës, në mënyrë që MSh-ja të mund të procedojë tutje edhe me pjesën për Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës. “Me pjesën e konkursit që parasheh sistemimin e 15 pozitave në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe një pozite në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, procedura veç është duke shkuar”.

Sipas tij, nuk ka mundësi ligjore që këto pozita të barten në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, pa ndryshime në Ligjin e Buxhetit. “Jemi të vendosur që ta shtyjmë tutje dhe të shfrytëzojmë të gjithë rrugët ligjore dhe institucionale për vazhdimin e procedurave të rekrutimit të këtyre 220 specialistëve të papunë. Sikur që brenda vitit do të krijohet prapë një numër i konsiderueshëm i specialistëve të cilët nuk do të jenë të sistemuar në institucionet tona publike shëndetësore, sepse duhet ta analizoj një fakt ky numër prej 220 është rritë në muajt e fundit, ka qenë një numër më i vogël i të papunëve, por edhe shumica e tyre që janë deklaruar të papunë kanë qenë të sistemuar ose të punësuar në institucione private shëndetësore, qoftë në klinika të tyre si themelues të institucioneve, qoftë nëpër spitale tjera ose klinika të tjera private”, tha ministri i Shëndetësisë.

Kryeministri Isa Mustafa lidhur me këtë çështje tha se në Qeveri nuk mund të ndahen rregulla, por se rregullat i ka ndarë Ligji.

“Por ajo që unë dëshirova që anëtarët e Qeverisë ta dinë këtë situatë dhe që ne të insistojmë si Qeveri që ju ta kryeni punën në mënyrë që mos të pësojnë specializantët për shkak të procedurave të cilat po zhvillohen. Të sqarohet qartë edhe në pikëpamje ligjore se me buxhet mjetet janë përcaktuar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe se konkurs shpall ai që ka buxhetin. Harmonizimi duhet të bëhet me Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës në pikëpamje të kuadrove dhe me institucionet tjera. Por, duhet të bashkërenditen punët ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në mënyrë që pastaj të mos mbetet çështje e vullnetit të individëve”.

“Ne ligjin duhet ta zbatojmë maksimalisht por, nuk duhet të lejojmë që të pësojnë njerëzit që kanë konkurruar dhe qytetarët, sepse më mirë do të ishte t’i kemi 220 specializantë në punë, të kryhet kjo procedurë, se sa të stërzgjaten procedurat, njerëzit të bredhin rrugëve dhe qytetarët të kenë më pak 220 mjekë specializantë se sa që i kanë sot, ose që ata vetëm të ushtrojnë punën e tyre nëpër spitale por mos të kenë të drejtë ta kryejnë punën si duhet për arsye se nuk kanë marrëdhënie të rregullt të punës. Prandaj, unë kisha kërkuar prej dy ministrive që ta bëni punën tuaj dhe ta përmbyllni këtë proces. Proceset tjera që kanë të bëjnë me specializantët e tjerë poashtu do t’i shohim se çka mund të bëjmë në mënyrë që të krijojmë prapë kushte që ata mos me lëvizë shumë prej sektorit privat në sektorin publik ose prej publikut në atë privat, por gjërat duhet të përfundojnë sepse Kuvendi e ka sjellë vendimin dhe ne nuk kemi asnjë arsye që ta shtyjmë këtë dhe të presim rishikimin e buxhetit dhe pastaj njerëzit të mbesin pa punë”, tha kryeministri Mustafa.

Të ngjashme