Rreth 95 mijë automjete çdo vit e ndërrojnë pronësinë, dëmi llogaritet 15 milionë euro

Prishtinë | 25 Kor 2020 | 07:50 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Institucionet i kushtëzojnë qytetarët që të paguajnë tatimin në pronë dhe shërbime të tjera komunale për regjistrimin e automjeteve.

Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se kanë kërkuar që këto kushtëzimet të hiqen.

Lidhur me këtë, ai ka dërguar edhe një ankesë pranë Avokatit të Popullit, për të cilën ka thënë se kushtëzimi për regjistrimin e automjeteve nuk është në pajtim me Kushtetutën.

“Në si shoqatë kemi marrë një iniciativë që kushtëzimet të hiqen njëherë e përgjithmonë. Lidhur me këtë kam ushtruar një ankesë pranë Avokatit të Popullit të cilën e kam arsyetuar që kushtëzimi për regjistrimin e automjeteve nuk është në pajtim me kushtetutën dhe kjo është në interes të qytetarëve që të hiqen për shkak se e lehtëson procedurën për regjistrimin e automjeteve”.

“Pas dorëzimit të kësaj ankese unë kam pranuar një njoftim për pranueshmëri sepse rastet kur kanë bazë për hetim dhe procedurë të mëtutjeshme, Avokati i Popullit e lëshon një njoftim paraprak që lënda pranohet apo nuk pranohet”.

Mazreku ka sqaruar se ka dërguar kërkesë te Ministria e Infrastrukturës dhe ministria e Punëve të Brendshme, që të bëhet ndryshimi i Ligjit të Automjeteve, duke filluar nga heqja e kushtëzimeve që qytetarët mos ta kenë kusht kryerjen e disa obligimeve.

Ai tha se kanë kërkuar që edhe bartja e pronësisë të kthehet në gjendjen siç ka qenë më herët. Sipas Mazrekut rreth 95 mijë automjete çdo vit e ndërrojnë pronësinë dhe se humbjet janë 15 milionë euro.

“Me kërkesën prej korrikut të vitit 2020 unë e kam dërguar te Ministria e Infrastrukturës dhe ministria e Punëve të Brendshme sepse ato ministri bashkëpunojnë ndërmjet vete dhe kryesisht prej këtyre dy ministrive është bërë ndryshimi i ligjit të automjeteve. Ne kemi kërkuar që të bëhen disa ndryshime duke filluar nga heqja e kushtëzimeve që qytetarët mos ta kenë me kusht kryerjen e disa obligimeve, mirëpo kjo nuk nënkupton që të mos paguhen taksat dhe gjobat, mirëpo jo të kushtëzohet me regjistrimin e automjeteve”.

“Pastaj kemi kërkuar që edhe bartja e pronësisë të kthehet në gjendjen siç ka qenë më herët. Varësisht prej kohës së mbetur kemi mundësi që pjesën e bartjes së pronës ta bartim tek pronari i ri apo të kthehet, sepse rreth 95 mijë automjete çdo vit mesatarisht e ndërrojnë pronësinë e automjeteve dhe nëse bëjmë llogarinë e thjesht i bie që dëmi aktual është 15 milionë euro që bëhet në dëm të qytetarëve”.

Mes tjerash, Mazreku theksoi se në Kosovë rreth 356 mijë automjete regjistrohen, që i bie se secili qytetar duhet të kalojë nëpër këto procedura.

Sipas tij, ajo që kanë hasur kohëve të fundit është që gjatë tërheqjes së vërtetimit tatimor janë komunat e kanë përshkallëzuar kushtëzimin sepse po kërkojnë që të bëhet edhe pagesa e tatimit në pronë edhe pagesa e shërbimeve të tjera, raporton EO.

“Mesatarisht në Kosovë rreth 356 mijë automjete regjistrohen që i bie se secili qytetar duhet të kalojë nëpër procedura kërkesave ligjore që janë aktuale që të plotësohen për regjistrimin e automjeteve. Nëse dikush dëshiron të regjistrojë një automjet duhet të marrë një taksë komunale prej 10 euro në Komunë, pastaj pagesën e gjobave”.

“Mirëpo ajo që kemi hasur kohëve të fundit është që gjatë tërheqjes së vërtetimit tatimor nëpër komuna, komunat janë duke e përshkallëzuar kushtëzimin sepse po kërkojnë që të bëhet edhe pagesa e tatimit në pronë dhe pagesa e higjienës”, shtoi ai.

Ai shtoi se gjatë muajit mars dhe prill, pikërisht në kohën e pandemisë rreth 52 mijë vetura nuk kanë pasur mundësi që ta vazhdojnë regjistrimin.

“Ministria e Punëve të Brendshme, atëherë me një udhëzim të ministrit i pat mbyllur qendrat e regjistrimit gjatë asaj kohe vetëm në muajin mars dhe prill rreth 52 mijë automjete nuk kanë pasur mundësi që ta vazhdojnë regjistrimin mirëpo një pjesë e tyre pas hapjes së qendrës për regjistrim i kanë kryer këto procedura”.

Të ngjashme