Rrezarta Krasniqi sulmon Vetëvendosjen: “Dëmi më i madh i vendit nuk janë kompanitë vendore, por mendësia juaj”

Prishtinë | 21 Pri 2025 | 14:06 | Nga Ekonomia Online

Ish-deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të Lëvizjes Vetëvendosje, duke i quajtur ata si dëmin më të madh për vendin, jo kompanitë vendore që punësojnë mijëra qytetarë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Krasniqi ka akuzuar Vetëvendosjen për hipokrizi dhe përpjekje për të devijuar vëmendjen e qytetarëve nga skandalet dhe dështimet e tyre, duke sulmuar biznese të mëdha vendore si ato të familjes Devolli.

“Dëmi më i madh i vendit nuk është një kompani private që ka mijëra të punësuar. Dëmi më i madh i vendit është Lëvizja Vetëvendosje dhe mendësia sikur e sekretarit të tyre,” ka deklaruar ajo.

Ajo ka kritikuar ashpër fushatat për bojkot të produkteve të kompanive vendore, duke i konsideruar të rrezikshme për ekonominë e vendit. Në vend të tyre, Krasniqi thotë se Vetëvendosja duhet të “bojkotojë” mbrojtjen e njerëzve të afërt të përfshirë në afera milionëshe.

“Në vend se të sulmoni të tjerët dhe të bëni thirrje për bojkotim ndaj produkteve të kompanive vendore, ju duhet të bojkotoni mbrojtjen për Nagipin, Martinin, Ridvanin e shumë vegla tuajat që buxhetit të vendit i kanë marrë miliona euro,” shkroi ajo.

Sipas saj, përpjekjet për të fajësuar të tjerët nuk e fshehin paaftësinë dhe korrupsionin e Vetëvendosjes.

“Milionat e vjedhura nga ju nuk mbulohen me sulm ndaj Devollëve, jeni të paaftë dhe të korruptuar,” përfundoi Krasniqi.

Të ngjashme