RrGK: Ngacmuesit seksual të largohen nga UP

Prishtinë | 21 Mar 2024 | 12:44 | Nga Ekonomia Online

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka shprehur shqetësimin e thellë në lidhje me numrin alarmues të rasteve të ngacmimeve seksuale në institucionet e arsimit, veçanërisht në Universitetin e Prishtinës.

RrGK ka thënë se raportimi i ngacmimeve seksuale nga 27 studente të fakultetit të mjekësisë shkakton shqetësim të madh për sigurinë dhe integritetin e të gjithë studentëve.

Rrjeti i Grave të Kosovës ka kërkuar nga Këshilli Etik që të trajtojë këtë çështje në mënyrë emergjente, duke respektuar rregulloret dhe ligjet në fuqi dhe duke siguruar mbështetje të plotë për viktimat.

Po ashtu, kanë bërë thirrje edhe në drejtim të rektoratit të Universitetit të ndërmerren masa të menjëhershme për zbardhjen e këtyre rasteve dhe për të krijuar mekanizma të besueshëm për raportimin e ngacmimeve seksuale, dhe që Universitetet duhet të jenë ambiente të sigurta dhe të mbështetjes për studentët, jo vende ku abuzimet tolerohen ose mbulohen.

RrGK kërkon që ky rast të trajtohet me seriozitet nga institucionet e drejtësisë dhe të arsimit, duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për adresimin e tij dhe dënimin e personit përgjegjës.

” Ngacmimi seksual i vajzave dhe grave në shoqërinë tonë mbetet ndër brengat kryesore, për të cilën duhet të ngrisim zërin të gjithë ne, vazhdimisht dhe pa asnjë kompromis. Kurse, reagimi i duhur institucional ndaj këtyre rasteve ndikon në luftimin e tyre dhe krijimin e një shoqërie ku vajzat dhe gratë gëzojnë një jetë të barabartë dhe pa dhunë me bazë gjinore”.


Të ngjashme