Rritet eksporti dhe importi i mallrave

Prishtinë | 24 Pri 2019 | 13:56 | Nga Ekonomia Online

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin mars 2019.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 13.4% në muajin mars 2019, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018, gjegjësisht në vlerë prej 259.6 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 228.9 milionë Euro në vitin 2018. Eksporti mbulon importin  me 10.2%.

Eksporti i mallrave në muajin mars 2019 kishte vlerën 29.5 milionë Euro, ndërsa importi 289.1 milionë Euro, ku është një rritje prej 11.8% për eksport, si dhe një rritje prej 13.2% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 33.5% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13.8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 12.7% e përbëjnë produktet minerale; 10.6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.1% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 5.1% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 4.2% e përbëjnë produktet bimore etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 13.4% e përbëjnë produktet minerale; 11.7% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.4% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 9.4% e përbëjnë mjetet e transportit; 8.1% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 7.3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre etj.

Ndërkaq, eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 12.4 milionë Euro, ose rreth 42.0% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 37.0%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (8.3%), Finlanda (7.1%), Holanda (4.1%), Britania e Madhe (2.8%), Italia (2.7%), dhe Sllovenia (2.7).

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 145.2 milionë Euro, ose 50.2% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 37.1%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (13.9%), Greqia (6.9%), Italia (4.9%), Sllovenia (3.0%), Bullgaria (2.7%) etj.

Në muajin mars 2019, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 13.9 milionë Euro, ose 47.3% të eksporteve  të përgjithshme, me një rritje prej 2.1%. Partnerët kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (18.6%), Maqedonia (14.2%), Mali i Zi (7.1%), dhe Serbia (5.3%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin mars 2018, arritën në 43.5 milionë Euro, ose 15.1% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-34.1%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia (7.3%), Shqipëria (7.0%) dhe Serbia (0.2 %).

Ndërkaq, eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 3.1 milionë Euro, ose 10.7%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmendet Zvicra (7.1%).

Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 100.3 milionë Euro, ose 34.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13.2%) dhe Kina (10.4%).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme