Rukiqi: Ora policore dhe kufizimet në orare nuk janë zgjidhje

Prishtinë | 26 Gus 2021 | 22:54 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Berat Rukiqi ka reaguar pas lajmeve se vendi pritet të mbyllet për shkak të përkeqësimit të gjendjes nga COVID-19.

Përmes një reagimi në Facebook, Rukiqi tha se ora policore dhe kufizimet nuk janë zgjidhje, derisa e kundërshtoi mbylljen e vendit.

“Sot lufta me pandeminë ka armë tjera në dispozicion: vaksinimi masiv i kombinuar me masa të distancës sociale. Ora policore dhe kufizimet në orare nuk janë zgjidhje”, tha ai.

Rukiqi kërkoi që ata që nuk vaksinohen të ndëshkohen, e që bizneset mos ta paguajnë dëmin e të papergjegjshmëve që nuk po vaksinohen.

“Rastet me fatalitet dhe të hospitalizuarit janë nga kategoritë që nuk po vaksinohen. Nuk mund të vazhdojmë të paguajmë dëmin, e të papergjegjshmëve që nuk po vaksinohen dhe të jokonsistences në menaxhimin e pandemisë. Kufizime të rrepta duhet të zbatohen, por në këtë rast, për ata qe nuk po vaksinohen. #nolockdown”, ka shkruar ai.

Sipas Odës së Hotelierisë dhe Turizmit, këto janë disa nga masat që do të merren:

• Orari i punës do të reduktohet për një orë nga 22:30 në 21:30;

• Gastronomia do të funksionojë vetëm me hapësirat e jashtme, dhe vetëm 70% të hapësirës;

• Në qendrat tregtare gastronomia nuk do të funksionojë fare;

• Sallat e dasmave, klubet e natës, kinematë dhe të tjera do të vazhdojnë të jenë plotësisht të mbyllura;

• Seminaret dhe konferencat në hapësira të mbyllura mund të mbahen vetëm deri në 30 persona;

• Ora policore do të jetë nga ora 22:00 deri në ora 5:00 të mëngjesit.

Të ngjashme