Sachpizza publikon rezultatet zyrtare: Në mostrat ushqimore nuk u identifikuan baktere patogjene

Prishtinë | 15 Kor 2026 | 19:08 | Nga Ekonomia Online

Sachpizza ka publikuar një reagim zyrtar pas marrjes së rezultateve laboratorike nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), duke bërë të ditur se në mostrat ushqimore të analizuara nuk janë identifikuar baktere patogjene.

Sipas kompanisë, analizat tregojnë se në mostrat e marra nga institucionet kompetente nuk janë gjetur Salmonella, Escherichia coli apo Staphylococcus aureus, ndërsa edhe analizat e strishove të marra nga sipërfaqet e punës, pajisjet dhe duart e stafit nuk kanë evidentuar baktere patogjene.

“Rezultatet zyrtare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës tregojnë se në mostrat ushqimore të analizuara në Sachpizza nuk u identifikuan baktere patogjene,” thuhet në reagimin e kompanisë.

Megjithatë, Sachpizza thekson se, sipas dokumenteve zyrtare të institucioneve, pacientët e trajtuar në QKUK kanë rezultuar pozitivë me Salmonella Enteritidis, por se deri në këtë fazë të hetimeve nuk është konfirmuar një lidhje ndërmjet mostrave ushqimore të analizuara dhe rezultateve laboratorike të pacientëve.

“Deri në këtë fazë të hetimit, nuk është konfirmuar një lidhje ndërmjet mostrave ushqimore të analizuara në Sachpizza dhe rezultateve laboratorike të pacientëve. Hetimi epidemiologjik vazhdon,” thekson kompania.

Sachpizza bën të ditur se ka bashkëpunuar me Ministrinë e Shëndetësisë, IKSHPK-në, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe institucionet e tjera kompetente, duke vënë në dispozicion dokumentacionin dhe duke hapur proceset për inspektim.

“Shëndeti i klientëve tanë ka qenë dhe mbetet prioriteti ynë absolut,” thuhet në deklaratë.

Kompania njofton se ka ndërmarrë masa shtesë për forcimin e sistemit të sigurisë ushqimore, përfshirë rishikimin e proceseve të prodhimit, forcimin e procedurave HACCP, shtimin e kontrolleve të higjienës dhe temperaturës, intensifikimin e analizave laboratorike dhe trajnime shtesë për stafin.

Sachpizza u ka shprehur keqardhje personave që kanë përjetuar shqetësime shëndetësore, duke theksuar se askush që ka kërkuar ndihmë mjekësore nuk ka vepruar gabim.

“Që në ditën e parë kemi kërkuar vetëm një gjë: Të flasin faktet. Nuk fshehëm asgjë, sepse nuk kishim çfarë të fshihnim,” përfundon deklarata e kompanisë.

Të ngjashme