Salih Mustafës i ulet dënimi në 22 vjet

Prishtinë | 14 Dhj 2023 | 10:49 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Paneli i Gjykatës së Apelit të Gjykatës Speciale në Hagë e ka dënuar Salih Mustafën me 22 vjet burg, duke i ulur kështu për katër vjet nga dënimi i shkallës së parë. Mustafa ishte shpallur fajtor për krime lufte nga kjo gjykatë më 16 dhjetor 2022, duke u dënuar me 26 vjet.

“Në lidhje me këtë Paneli i Apelit gjykon se një dënim i njehsuar me 22 vjet burgim pasqyron veprimtarinë kriminale të z. Mustafa në këtë çështje”, tha kryetarja e panelit.

“Apeli lë në fuqi verdiktin e fajësisë së Salih Mustafës për krime lufte dhe ndalim arbitrar. Anulon dënimin me 10 vjet burgim për pikën 1 të aktakuzës, cakton dënim me 8 vjet burgim. Anulon dënimin me 22 vjet dënim për pikën 3, cakton dënim me 20 vjet burgim, anulon 25 vjet burgim për pikën 4, cakton dënim me 22 vet burgim. Anulon dënimin me 26 vjet burgim, cakton një dënim me 22 vjet burgim, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim”, tha kryetarja e panelit të Apelit.

Mustafa, në dhjetor të vitit të kaluar u dënua nga shkalla e parë me 26 vjet burgim për akuzën e mbajtjes dhe maltretimin e disa civilëve shqiptarë, një prej tyre i vrarë, në kompleksin e ndërtesave të Zllashit.

Ky vendim njëherit shënon edhe vendimin e parë për krime lufte të shqiptuar nga Gjykata Speciale, e cila ka selinë në Hagë të Holandës.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka mbrojtur dënimin prej 26 vjetësh, duke e vlerësuar si proporcional dhe të drejtë.

Në anën tjetër, mbrojtësi i Salih Mustafës, Julius Von Bone, në dosjen e publikuar ka shprehur kundërshtime, duke argumentuar se dënimi i Mustafës është shqyrtuar në mënyrë të padrejtë, duke u bazuar në rrethanat e gabuara.

Ish-komandant “Cali” akuzohet për ndalim arbitrar, torturë, trajtim çnjerëzor dhe vrasje të paligjshme.

Ai ishte arrestuar në shtator të vitit 2020, duke qenë i pari i ftuar nga Gjykata Speciale.
Salih Mustafa ka qenë komandant i Njësisë BIA të UÇK-së, që operonte brenda Zonës Operative të Llapit.

Aktakuza e ngarkon atë me përgjegjësi penale për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së në kompleksin e ndalimit në Zllash, në regjionin e Gollakut.

Të ngjashme