Salihu: Ministrja Gërvalla çdo veprim e çdo fjalim po del ta ketë skandaloz

Prishtinë | 25 Maj 2021 | 12:21 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Jashtme ka marrë shumë kritika për postimin e fundit në rrjetin social Tëitter. Postimi në gjuhën angleze që është bërë nga MPJ ka qenë amatoresk dhe me gabime.

Analisti politik, Fitim Salihu në një prononcim për Periskopin ka thënë se ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla çdo veprim e çdo fjalim del ta ketë skandaloz dhe se ajo nuk ka qenë adekuate që të udhëheq me Ministrinë e Jashtme

“Postimet e djeshme ne Twitter e dëshmojnë sërish që kjo qeveri nuk e ka minimumin e profesionalizmit. Ka ardhë në pushtet si rezultat i emocioneve momentale të mllefit qytetar. Ashtu siç ka ardhë në pushtet, ashtu edhe po qeveris – qeveri e emocionit dhe jo e racios. Donika Shvarc ka dëshmuar që ka qenë njeri krejtësisht joadekuat për ta mbajtur këtë post. Asaj i mungon pjekuria politike dhe ngritja intelektuale për ta udhëhequr Ministrinë e Jashtme të një shteti. Çdo veprim dhe çdo fjalim i saj po del të jetë skandaloz”, ka thënë ai.

I pyetur nëse nën udhëheqjen e Donika Gërvallës, shteti i Kosovës mund të fitojë njohje të reja, Salihu u shpreh pesimist, duke thënë se më këtë udhëheqje Kosova mund të defaktorizohet edhe më shumë.

“Kjo qeveri dhe kjo ministre e jashtme jo që nuk do ta faktorizojnë Kosovën ndërkombëtarisht, por do ta defaktorizojnë edhe me tutje”, shtoi ai.

Ndërkohë, deklarata e MPJ’së që u lëshua mbrëmë, u fshi e u rikthye prapë, por përsëri pati gabime, për çka edhe ministrja Gërvalla e mori përgjegjësinë.

Ndryshe, reagimet ndaj kësaj deklarata po vazhdojnë edhe sot gjatë ditës në Komisionin për Punë të Jashtme, ku deputetët e opozitës e kritikuan MPJ për papjekuri politike dhe qasje joprofesionale.

Të ngjashme