Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme. Në këtë seancë është një pikë e rendit të ditës, votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, raporton Ekonomia Online.
Aty do të tentohet që për herë të tretë të votohet në lexim të dytë ky Projektligji dhe votimi i amendamentit 5 të propozuar nga deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, që mundëson harmonizimin dhe funksionalizimin e Ligjit për Sponsorizime.
Kryetari i komisionit për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku, tha se bizneset kanë të drejtë të sponsorizojnë grupet, organizatat dhe individët dhe për atë pjesë të sponsorizimit të mos paguajnë tatim.
“Ky Kuvend nuk po e voton as Ligjin për Sponsorizim as Sport, është duke votuar Ligjin mbi Tatimin ne të Ardhurat e Korporatave. Çështja e dytë që duhet trajtuar është se votimi i partive në fjalë më së paku ka konotacion politik. Për faj të dy kolegëve Krasniqi e Haxhiu, ministri i Financave që është nga PDK-ja nuk do të ishte kundër propozimit tuaj. Bizneset kanë të drejtë të sponsorizojnë grupet, organizatat dhe individët dhe për atë pjesë të sponsorizimit të mos paguajnë tatim. Sa ma pak pare shtetit aq ma mirë. MF nuk e mbështet amendamentin e Bekim Haxhiut”, tha Abdixhiku.
Deputeti i Vetëvendosjes, Adem Mikullovci, tha se duhet ta kemi ligjin që korporatat ta kenë obligim sposorizimin me 30 për qind.
“Duhet ta kemi ligjin tonë. Formulimi nuk po më pëlqen. Atje thotë u mundësohet korporatave me sponsorizu projekte sportive, jo ju lejohet po obligative me dhanë 30%”, tha ai, raporton EO.
Shefi i GP-të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se cilindo variant që del në votim, LDK-ja do të jep mbështetjen.
“Mundësia që e ka dhënë Bekim Haxhiu është maksimum 30 milionë euro, mundësia që e jep ligji është 300 milionë euro. Ne do të japim mbështetje për secilin variant”, tha ai.
Shefi i Grupit Parlamentari të PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se është obligim i joni që sportin dhe kulturën ta vëmë prioritet.
Krasniqi ka kërkuar nga deputetët që të ketë konsensus për votimin e Ligjit për Sponzorizime.
“Ftoj deputetët që ta votojnë amendamentin 5 të propozuar nga z.Haxhiu dhe kundër amendamentin e propozuar nga komisioni. Është momenti i duhur që të kemi konsensus për këtë çështje”, u shpreh Krasniqi.
“…Një model i një biznesi që ka të ardhura bruto 1 milionë euro në versionin e Ligjit aktual i bie të marrë fitim 144 mijë euro. Në opsionin që e ka komisioni 126 mijë me opsionin që po themi ne është 180 mijë euro”, tha ai.