Selmanaj i tregon Kurtit se nuk mund të publikohen traskriptet e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë

Prishtinë | 25 Mar 2020 | 15:58 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selamanaj janë përplasur lidhur me publikimin e transkripteve nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Kryeministri Kurti tha se gjatë asaj mbledhjeje presidenti Hashim Thaçi ka dashur të bëjë puç dhe se do t’i bëjë publik transkriptet, por pas një ore kryeministri Kurti tha se ato transkripte nuk mund të publikohen sepse ka prishje në ‘hardiskun’ ku gjendet incizimi i mbledhjes.

 “Më 17 Mars u mbajt mbledhja e Këshillit të Sigurisë dhe tash po më njoftojnë që ‘hard disku’ nuk i paska regjistruar. Pse po ndodh kjo? Kjo po ndodh se Kosova vazhdon me qenë shtet i kapur.  Sepse ka ndryshuar vetem qeveria por nuk ka ndryshuar prokuroria, ekonomia, shëndetësia. Ka ndërruar vetëm qeveria dhe edhe këtë po përpiqen ta rrëzojnë. Pesë  orë para se të fillojë ajo mbledhje, kryetari i LDK-së eshte deklaruar për gjendje të jashtëzakonshme dhe pse nuk u konsultuam. A nuk do të duhej kryetari i LDK-së të konsultohej me kryeministrin. Unë nuk po jap dorëheqje,  por ky është rrëzim dhe është në dorën tuaj”, tha Kurti.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, ku tha se nuk ka mundur t’i nxjerrë transkriptet në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë sepse ato janë informacione konfidenciale.

“Këshilli i Sigurisë edhe nëse doni të merrni informata nuk ju lejon. Mbledhjet në këtë Këshill janë konfidenciale. Edhe telefonat nuk ju lejojnë brenda në mbledhje. Vetëm fleta e bardhë që është aty edhe kur të përfundojë ju e lëni aty. Sa i përket shkarkimit të Agim veliut, nuk vendos qeveria për gjendje të jashtëzakonshme, por Kuvendi vendos, kështu që ju lutem leni këto deklarata”, tha Selmanaj në replikën e tij ndaj kryeministrit Kurti.

Ndryshe, vetëm personat që janë të autorizuar mund të kenë qasje në informacione e klasifikuara. Përveç krerëve shtetërorë disa persona administrativë mund të kenë qasje në informacione të klasifikuara mirëpo kjo duhet të bëhet vetëm në bazë të verifikimit dhe inspektimit të të kaluarës së individëve dhe kriteret tjera që duhet të caktohen.

Të ngjashme