Selmanaj: VV dikur na hipte në qafë, tani duan të bashkëpunojnë vetëm me neve

Prishtinë | 25 Sht 2018 | 19:02 | Nga

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se bashkëpunimi me VV-në ka ardhur si pasojë e dakordances në disa aspekte, që kanë qëllim të mbrojnë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës.

Selmanaj ka thënë se partitë të cilat dikur i hipnin në qafë LDK-së tani po reflektojnë, dhe e kanë kuptuar se partner të vetëm e kanë LDK-në.

“Bashkëpunimi me VV-në nuk është ndonjë bashkëpunim i cili ka ndonjë vendim të caktuar, por ka takime të rregullta të cilat po ndodhin mes zotit Mustafa dhe Kurtit. Përkundër se në periudha të caktuara i hipnin në qafë LDK-së tani kanë reflektuar dhe e shohin si partner të vetëm LDK-në. Kushdo që reflekton në kontekstin pozitiv, LDK-ja nuk përjashton takime e biseda, kur është në pyetje interesi i vendit”, ka thënë Selmanaj për Insajderin.

Selmanaj ka shtuar se Kosova nuk ka pas ndonjëherë Qeveri më skandaloze, sipas tij ajo tani po e vë në pikëpyetje integritetin dhe sovranitetin e vendit.

“Ne vlerësojmë që degradimi i Qeverisë në Kosovë është jashtëzakonisht i madh, në kontekstin e abuzimit me paranë publike dhe në shumë aspekte të tjera. Qeveri ma skandaloze Kosova s’ka pas asnjëherë. E tash së fundmi po e vënë në pikëpyetje edhe integritetin dhe sovranitetin e vendit, duke hyrë në aventura për kufijtë, dhe ne normalisht që do të kemi bashkëpunim, për të ndalur vendosjen në pazar të kufijve të Kosovës, dhe në me Lëvizjen Vetëvendosje kemi në akordancë”, ka thënë Selmanaj.

Të ngjashme