Serbët në Graçanicë protestojnë në “mbështetje të vëllezërve” në veri

Prishtinë | 23 Nën 2022 | 14:20 | Nga Ekonomia Online

Serbët në komunën e Graçanicës kanë protestuar me qëllim të mbështetjes së pjesëtarëve të komunitetit serb në veri të Kosovës, dhe bërjes publike se nuk ka ndarje mes serbëve nga veriu dhe jugu.

Kryetarja e komunës, Lilana Shubariq, deklaroi se serbët në jug mbështesin bashkatdhetarët e tyre në veri dhe vendimin e tyre për braktisjen e institucioneve të Kosovës, duke shtuar se nëse “dhuna politike vazhdon, ata e dinë se çfarë të bëjnë”.

Ajo nuk specifikoi se për çfarë lloj dhune politike e kishte fjalën, as çfarë hapash do të ndërmarrin serbët në jug, shkruan REL.

Në anën tjetër, shumë protestues, kanë thënë se nuk mund të thonë asgjë sepse as vetë nuk e dinë pse janë aty.

Këta janë kryesisht punëtorë të institucioneve serbe në Kosovë, dhe shpesh e kanë “obligim pune” të protestojnë për shkak të situatës politike, ose të mbështesin listën Serbe, partinë kryesore politike serbe në Kosovë.

Lista Serbe, ka paralajmëruar se të mërkurën e 23 nëntorit do të ketë një tubim të madh në pjesën veriore të Mitrovicës me fillim në orën 15:00.

Kështu kishte deklaruar të martën Gordana Saviç, ish-këshilltarja e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Do të organizojmë një tubim të madh në të cilën do të dërgohen mesazhe paqeje”, ka thënë Saviç në një konferencë për media.

Në anën tjetër, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se serbët nuk mund ta tolerojnë “terrorin” e Prishtinës dhe paralajmëroi protesta në të gjitha institucionet e Kosovës.

“Nuk kemi ku të shkojmë dhe shpresoj se nuk do të duhet të mbrohemi. Njerëzit nuk mund të tolerojnë më torturat që po bën Prishtina. Do të kemi protesta në shkolla, qendra shëndetësore dhe në të gjitha institucionet e tjera”, ka thënë Rakiq.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, kryeministri Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS.

Faza e dytë parasheh shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me automjete me targa të tilla.

Faza e parë parashihte qortimin, e dyta parasheh shqiptimin e gjobës dhe më vonë parashihet të vendosen disa targa provuese.

Sipas vendimit të Qeverisë, pas 21 prillit, në Kosovë nuk duhet të ketë më makina me targa të tilla që lëshojnë autoritetet serbe.

Të ngjashme