Serbia përmend borxhet nga republikat e ish-Jugosllavisë, “harron” Kosovën

Prishtinë | 15 Kor 2019 | 14:04 | Nga Ekonomia Online

Në Kuvendin e Serbisë ka filluar debati rreth disa projekt;ligjeve, ndër ta edhe ai për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për rregullimin e borxhit publik në bazë të borxheve për kursimet devizore të qytetarëve nga republikat e ish-Jugosllavisë, në bankat me seli në Serbi dhe në filialat e tyre në territorin e ish-republikave të RSFJ-së.

Siç bën të ditur B92, me propozimin e ndryshimeve vazhdohet afati për marrjen e vendimit në lidhje pagesën e borxheve në bazë të kursimeve devizore të qytetarëve para zhbërjes së Jugsollavisë.

Ministri serb i Financave, Sinisha Mali, sipas këtij burimi, ka thënë se me këtë ligj do të bëhen ndryshime e plotësime të Ligjit të miratuar në mënyrë që Serbia të kryej detyrimet në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me Rastin Alishiq dhe të tjerëve kundrç Bosnjës e Hercegovinës, Kroacisë, Serbisë, Sllovenisë dhe Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë (tash Maqedonia e Veriut).

Me këto ndryshiume vazhdohet afati për marrjen e vendimit nga Drejtoria për borxhin publik sipas kërkesave të marra, zvogëlohet numri i kësteve gjysmëvjetore nga dhjetë në tetë dhe shtyhet fillimi i pagesës për gjashtë muaj.

Siç theksohet “Afatet shtyhen për shkak të pamundësisë së kursimtarëve që të sigurojnë dokumentacionin nga institucionet kompetente në ish-republikat deri më 23 qershor të këtij viti dhe që të fitojnë të drejtën për t’u kompensuar për kursimet e vjetra devizore”, ka sqaruar ministri.

Sipas tij, Serbia do të detyrohet të paguaj rreth 130 milionë euro në emër të kursimeve devizore dhe ka sqaruar se janë rreth 9.300 kërkesa të parashtruara.

Çuditërisht nuk përmenden fare kursimtarët devizorë nga Kosova, numri i të cilëve është i madh, ndërsa shuma e kursimeve të tyre kalonte disa qindra milionë euro, rikujton Koha.net. Nuk ka pasur informacione nëse autoritetet e Kosovës e kanë shtruar me argumente problemin e plaçkitjes së pasurive bankare të Kosovës nga Serbia gjatë viteve të okupimit.

“Ekzistojnë variante të ndryshme lidhur me sasinë e mjeteve të kursyera nga kosovarët në këto banka, për të cilët deri më sot asnjë qeveri kosovare nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për t’i rikthyer apo edhe nëse është ndërmarrë ndonjë hap simbolik në të kaluarën, kursimtarët kosovarë e as publiku më I gjerë nuk ka as më të voglën informatë. Nëpër kuloare dhe nga individë të ndryshëm janë përmendur shuma të ndryshme për mjetet a pakthyera”, shkruante para disa vitesh Flamur Keqa, njohës i çështjes.

“Me informatatat të cilat disponoj ( që edhe mund të jenë jo komplete), kursimet e kosovarëve në këto banka minimum kanë qenë në një shumë prej 455 milionë marka gjermane. Kjo shumë është prerje e datës 31.11.1997 dhe ka të bëjë me dy banka që vepronin asokohe në Kosovë. Banka e parë ishte Jugobanka SHA me seli në Mitrovicë, ku në kontot e saj ka pasur një gjendje të kursimeve prej 292 milionë marka gjermane. Në kuadër të këtyre kursimeve bëjnë pjesë edhe kursimet në ish Bankën e Lubjanës, më vonë Banka Kreditore. Banka tjetër ishte Banka e Kosovës e cila ishte themeluar me mjetet e ekonomisë kosovare dhe shuma e kursimeve në këtë bankë më datën 31.11.1997 ishte 163 milionë marka. Këtyre kursimeve duhet shtuar edhe kamata e përllogaritur në shumë prej 69 milionë markave. Rrjedhimisht shuma totale arrin në 524 milonë marka. Këtu bëhet fjalë vetëm për kursimet devizore, por jo edhe për ato në valutën dinarike apo në ndonjë valutë tjetër eventuale”, shkruante Keqa.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme