Serbia Vazhdon Dhunën dhe Përndjekjen ndaj Partisë Liberale të Kosovës

Prishtinë | 25 Pri 2019 | 14:13 | Nga Ekonomia Online

Për shkak të mospajtimit të Partisë Liberale Serbe me politikën e Serbisë në Kosovë ndaj serbëve të Kosovës e që instrument për këtë po e përdorë Listën Serbe, kryetari i kësaj partie dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petroviq ishte ndaluar në pikëkalimin kufitar në Merdare dhe ishte mbajtur i arrestuar për disa orë duke u marrë në pyetje nga BIA serbe. Edhe një zyrtar i PLS , gjithashtu ishte ndaluar nga agjentë e BIA-s në ndërkohë që në qendër të Prishtinës nga anëtarë të Lista Serpskës ishte sulmuar fizikisht kryetari , Sllobodan Petroviq.

Pasi kryeministri i Kosovës, z. Haradinaj, në vend të ish ministrit Rikallo e emëroi një zyrtare të PLS si ministre, filloi një fushatë denigrimi ndaj saj, që nga niveli më i lartë i Serbisë, presidenti Aleksandër Vuçiq, ministri Daqiq dhe Vulin si dhe Marko Gjuriq dhe nga Lista Serbe. Edhe gjatë zgjedhjeve të fundit në Kosovë , anëtarë dhe kandidatë të Partisë Liberale Serbe ishin sulmuar dhe rrahur nga simpatizantë dhe anëtarë të Listës Serbe.

Sipas informatave të KMDLNj-së, me 25.04.2019 në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë, nga policia serbe është ndalur Sergjan Jovanoviq, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm i Partisë Liberale Serbe dhe këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj. Ai është ndalur në ora 11:00 dhe shoqërohej nga gruaja e tij e që ishin duke shkuar në një kontrollë mjekësore.

Tash, z. Jovanoviq po mbahet i ndaluar dhe çdo përpjkje për të kontaktuar me të është i pamundur derisa agjentët e BIA-s ta marrin në pyetje dhe të vendosin për fatin e tij. Skenari i ndalimit të z. Jovanoviq është i ngjashëm me atë që është zbatuar kohë më parë, po nga BIA, ndaj kryetarit Sllobodan Petroviq.

KMDLNj proteston ndaj këtij ndalimi – arrestimi arbitrar të z. Jovanoviq, i motivuar politikisht, me porosi të qartë se ky fat i pret të gjithë ata që e kundërshtojnë politikën e Serbisë në Kosovë dhe që nuk janë në një linjë me Lista Serbe.

Autoritetet serbe e kanë legalizuar shantazhin dhe kërcënimin ndaj serbëve lojalë të Kosovës duke i ndalur në pika kufitare, duke i arrestuar, qoftë pjesëtarë të FSK-së, Policisë së Kosovës, politikanë, deputetë dhe poste të tjera dhe duke i detyruar të tërhiqen nga institucionet e Kosovës e në rast të kundërshtimit i sulmojnë me armë zjarri, ua shkatërrojnë pronën apo iu vendosin mjete shpërthyese.

KMDLNj kundërshton arrestimin e z. Jovanoviq si arrestim arbitrar dhe si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, kundër lirisë së fjalës, lirisë së lëvizjes dhe përcaktimit vullnetar për organizim dhe veprim politik. KMDLNj fton të gjithë akterët relevantë të gjykojnë këtë veprim të dhunshëm të institucioneve të Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës të përkatësisë etnike serbe e që janë integruar apo duan të integrohen në institucionet e Kosovës dhe shoqërinë kosovare.

Ky manifestim i vazhdueshëm i dhunës së Serbisë ndaj qytetarëve serbë të Kosovës ka krijuar kushte të frikshme për zgjedhjet në 4 komunat me shumicë serbe prandaj,  përveç Listës Serbe të gjitha partitë serbe të Kosovës kanë refuzuar të marrin pjesë në këto zgjedhje.

Pikërisht për këtë arsye, KMDLNj këto zgjedhje i konsideron të padrejta për faktin se nuk është ofruar siguri për të gjitha subjektet politike dhe individët të garojnë në kushte të barabarta.

Është non – sens që në një hapësirë, kushtimisht demokratike dhe ku respektimi i të drejtave të njeriut konsiderohet si vlerë e shtuar e demokracisë të lejohet një dhunë shtetërore (e Serbisë) ndaj një subjekti politikë të serbëve të Kosovës – Partia Liberale Serbe vetëm se ka mendim dhe qëndrim tjetër politik.

Të ngjashme