Shabani: Manipuluesit e tregut e shfrytëzuan rastin dhe i rritën çmimet

Prishtinë | 28 Tet 2021 | 18:43 | Nga Ekonomia Online

Kryeredaktori i gazetës Infokus, Zekirja Shabani, tha se manipuluesit e tregut në Kosovë e kanë shfrytëzuar rastin që çmimet e produkteve t’i rrisin për 25 për qind.

Shabani në Info Magazine në Klan Kosova tha se aktualisht në Kosovë ka një inflacion të çmimit të produkteve për 4.9 përqind.

Ai theksoi se është e pashpjegueshme se si të ndodh një rritje kaq e madhe e çmimeve.

“Aktualisht në një nga vendet prej ku importojmë më së shumti ka inflacion të çmimit të produkteve për 7 përqind dhe e kemi parë që Kosova ka inflacion diku prej 4.9 përqind. Manipuluesit e tregut e kanë shfrytëzuar këtë dhe prej 4.9 përqind inflacion i kanë ngritur çmimet për 25 përqind, çmimi i bukës dhe i shërbimeve. Pra, është e pashpjegueshme se si në një vend me inflacion prej 4.9 përqind të ketë rritje të çmimeve për 25 përqind”.

Sipas tij do të ketë edhe më tutje rritje të çmimeve të produkteve në Kosovë.

“Fatkeqësisht po. Është një trend që ka nisur tashmë dhe druaj se nuk do të përfundojë me kaq. Kemi një trend të rritjes së çmimeve në të gjithë botën. Kemi trend të rritjes së çmimeve edhe në vendet ku më së shumti importon Kosova. Më shumë se 90 përqind të produkteve të konsumit të gjerë importohen”.

Të ngjashme