Në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të themelimit të Prefekturës së Tiranës, Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, është takuar me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, si dhe me Kryetarin e Prefekturës së Tiranës, Shkelqim Hajdarin.
Kjo është bërë e ditur përmes një postimi në faqëz zyrtare në AKB-së, në rrjetin social Facebook, ku u u bë e ditur se gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, krijimin e mundësive të reja për bizneset, si dhe për nevojën e forcimit dhe zhvillimit të institucioneve të Kosovës në funksion të integrimit ekonomik dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, theksoi se Aleanca Kosovare e Bizneseve mbetet e përkushtuar për të mbështetur çdo iniciativë që kontribuon në zhvillimin e ekonomisë kombëtare dhe në forcimin e bashkëpunimit ekonomik mbarëshqiptar.
AKB është e gatshme të kontribuojë dhe të mbështesë çdo nismë që ndihmon zhvillimin ekonomik, rritjen e investimeve, krijimin e vendeve të reja të punës dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, deklaroi Shahini.
Shënimi i 100-vjetorit të Prefekturës së Tiranës shërbeu si një mundësi e rëndësishme për takime institucionale, shkëmbim idesh dhe forcim të lidhjeve ndërmjet përfaqësuesve institucionalë dhe ekonomikë nga të gjitha trojet shqiptare.
