Shaljanët i besojnë “Fillimit të Ri”

Prishtinë | 09 Qer 2017 | 10:29 | Nga

Qindra qytetarë të Shalës i kanë dhënë mbështetje kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit dhe “Fillimit të Ri”, në një tubim të organizuar në Bajgorë në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 qershorit. Gjithashtu të pranishëm në tubim ishin edhe minatorët e “Trepçës”, të cilët e falënderuan kryetarin Veseli për Ligjin për “Trepçën”.

Kryetari Veseli, tha se me “Fillimin e Ri”, do të fillojë një epokë e re edhe për rajonin e Shalës.

 

“Nuk janë vetëm resurset nëntokësorë që e bëjnë të pasur Shalën. Pasuria më e madhe janë njerëzit punëtorë e të ndershëm, të cilët janë pjesë dhe bartës të ‘Fillimit të Ri’, për një Kosovë të re dhe të zhvilluar”.

Duke folur për minatorët, ai çmoi kontributin e tyre në të gjitha kohërat e vështira për vendin. “Ju i jepni kuptim të vërtetë “Fillimit të Ri”, meqë është gjaku dhe djersa juaj që ka hapur shtigje përpara për këtë vend. Ju jeni lavdia e së kaluarës dhe do të jeni edhe lavdia e të ardhmes”, tha ai.

Gjatë aktiviteteve në Mitrovicë në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 qershorit, kryetari Veseli, ka shtruar darkë të enjten për mësimdhënësit, mjekët, sportistët dhe artistët. Të pranishëm ishin edhe kryetari i Degës së PDK-së, Avni Kastrati dhe kandidatët për deputetë nga kjo komunë: Jehona Shyti, Drita Kadriu, Rrustem Musa e Abdyl Salihu.

Veseli u zotua para tyre për të përmirësuar kushtet e punës dhe mirëqenien për të gjitha këto kategori. “Me ‘Fillimin e Ri’, do të vazhdojnë projektet e mëdha në Mitrovicë, meqë në tre vitet e fundit këtu ka stanguar gjithçka”.

Ndryshe lideri i PDK-së dhe kandidatët për deputetë në Mitrovicë, kanë pasur tubime të shumta me qytetarë në këtë komunë. Tubime madhështore janë mbajtur në Zhabar dhe në lagjen “Ura e Gjakut”, ku qindra qytetarë janë shprehur të entuziazmuar me vizionin e “Fillimit të Ri”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme