Shemsedin Dreshaj: Gjendja në QKUK është pasojë e mungesës së investimeve

Prishtinë | 19 Kor 2026 | 16:17 | Nga Ekonomia Online

Ish-anëtari i Komisionit për Shëndetësi nga AAK-ja, Shemsedin Dreshaj tha për “Front Online” se gjendja e krijuar në QKUK, veçanërisht në Klinikën e Pediatrisë është rezultat i mungesës së investimeve dhe menaxhimit të dobët ndër vite.

Sipas Dreshajt, QKUK ka pasur nevojë për investime të konsiderueshme si në infrastrukturë ashtu edhe në aspektin programor.

“QKUK ka nevojë për shumë investime brenda në aspektin infrastrukturor ose programor. Edhe më herët ka pasur nevojë, e sidomos në gjashtë vitet e fundit. Ajo që sot po e shohim është pasojë e një menaxhimi jo fort të mirë nga niveli qendror, me reflektime për të sëmurët që kanë nevojë për shërbime specifike”, deklaroi Dreshaj.

Ai tha se problemet në Pediatri nuk lidhen vetëm me menaxhimin aktual të klinikës, por janë rezultat i moszbatimit të reformave të nevojshme në sistemin shëndetësor.

“Gjendja në Pediatri nuk ka të bëjë vetëm me menaxhimin e segmentit aktual apo të një intervali të shkurtër kohor në QKUK, por kemi të bëjmë me një program i cili është dashur të implementohet vite me radhë. Edhe menaxhmenti aktual është dashur të siguronte që sigurimet shëndetësore të jenë pjesë e një impakti të përgjithshëm në menaxhimin e shëndetësisë”, u shpreh ai.

Dreshaj akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për mungesë të vullnetit politik në reformimin e sektorit të shëndetësisë.

“Ka mungesë të vullnetit politik. Lëvizja Vetëvendosje, që sa vite e menaxhon vendin, nuk ka shprehur interes që të vërë një pikë në menaxhimin e sektorit të shëndetësisë”, ka thënë Dreshaj për “Front Online”.

Të ngjashme