Ministria e Shëndetësisë / Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, si dhe me drejtoritë komunale të arsimit, sot kanw zhvilluar një aktivitet ndërgjegjësues me rastin e shënimit të Ditës Botërore pa Duhan, e cila çdo vit shënohet më 31 maj.
Ky aktivitet kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes tek të rinjtë dhe qytetarët për pasojat e dëmshme të përdorimit të duhanit dhe produkteve të nikotinës, duke promovuar rëndësinë e një jetese të shëndetshme dhe pa varësi.
Në një komunikatë për media thuhet se përmes këtij organizimi u synua sensibilizimi i komunitetit mbi ndikimin negativ që këto produkte kanë në shëndet, sidomos tek gjeneratat e reja, si dhe inkurajimi i tyre për të zgjedhur mënyra më të shëndetshme jetese.
Aktiviteti u pasurua me ndarjen e çmimeve për nxënësit pjesëmarrës në garën me punime me mesazhe kundër duhan pirjes dhe me ekspozimin e punimeve të realizuara nga ana e tyre, të përcollën mesazhe vetëdijësuese dhe kreative kundër përdorimit të duhanit dhe nikotinës.
Le të ndërtojmë së bashku një shoqëri më të shëndetshme duke zgjedhur jetën pa duhan dhe pa nikotinë. Çdo vendim i sotëm për shëndetin është një investim për të ardhmen tonë dhe të brezave që vijnë.