Shënohet viktima e parë e Coronavirusit në Shqipëri

Prishtinë | 11 Mar 2020 | 12:55 | Nga Ekonomia Online

Virusi covid-19 shënon viktimën e parë në Shqipëri. Fatkeqësisht gruaja e moshuar, e cila ishte prekur nga koronavirusi, ka ndërruar jetë në reanimacionin e spitalit të Durrësit.

E moshuara u shtrua në spital në gjendje të rënduar që më datë 3 mars, ndërsa analiza se ajo ishte e prekur nga koronavirusi doli vetëm ditën e djeshme. Po këtë të mërkurë, mjekët tentuan ta përcjellin 73 vjeçaren drejt spitalit të Tiranës për një trajtim më të specializuar, por gruaja është kthyer mbrapsht pasi nuk mund të përballonte udhëtimin. E moshuara vuante gjithashtu dhe nga disa sëmundje të tjera kronike dhe qëndronte në reanimacionin e spitalit të Durrësit.

Gruaja u raportua si një ndër dy të infektuarat e reja ditën e djeshme, teksa këtë të mërkurë në dritë dolën dy raste të reja me koronavirus. Tashmë bilanci në Shqipëri merr një tjetër rrjedhë, duke shënuar viktimën e parë, teksa 11 janë të konfirmuar si të infektuar.

Të ngjashme