Sherifi: Përgjegjësit e burgut e dinë si vdiq Dehari

Prishtinë | 08 Nën 2016 | 20:21 | Nga

Sekretari i Nismës për Kosovë, Bilall Sherifi, ka komentuar vdekjen tragjike të aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.

Ai ka thënë se nuk është e mundur që përgjegjësit e burgut të Prizrenit, policia e as prokuroria të mos jen në dijeni se si ka ndodhur vdekja e Deharit.

Lexojeni postimin e plotë:

Hapja e menjëhershme e procedurës kundër përgjegjësve ose bashkëpërgjegjësi në krim.

Dihet se në çdo shtet hapësirat në të cilat mbahen të paraburgosurit janë të mbikëqyrura 24 orë. Për dallim nga të dënuarit që presin transferimin në burgje për vuajtjen e dënimeve, kthinat në të cilat gjinden qelitë ku janë të vendosur të paraburgosurit janë të mbikëqyrura rreptësisht.

Këtë që po e them nuk e kam vetëm të dëgjuar por edhe të përjetuar në katër burgje të ndryshme në të cilat jam mbajtur në paraburgim si burgosur politik. Në vitin 1982 në burgun e Ferizajt, në vitin 1985 në burgun e Prishtinës, më 1986 në burgun e Tetovës dhe atë të Shutkës në Shkup. Në asnjërin nga këto burgje nuk ka mundur të hyjë askush në qelinë time pa dijeninë e personelit të autorizuar.

Pra, nisur nga ky fakt, që në këto hapësira askush nuk mund të hyjë dhe të dalë pos personelit të autorizuar dhe të paraburgosurve, rrjedhimisht askush nuk mund të besojë që përfaqësuesit e shtetit (në këtë rast përgjegjësit në burgun e Prizrenit dhe përmes tyre edhe policia dhe prokuroria) të mos e dinë se si ka ndodhur vdekja tragjike e Astrit Deharit.

Aq më tepër kur tërë tragjedia ka ndodhur në vlug të aktiviteteve ditore dhe atë brenda një ore (14h00-15h00). Prandaj, këtu gjërat janë të qarta: askush nuk mund të mohojë faktin se përgjegjësit e institucioneve të Kosovës e dinë të vërtetën e plotë për rrethanat dhe mënyrën si humbi jetën Astrit Dehari. E vërteta është një dhe ajo duhet të bëhet publike menjëherë.

Krahas informimit të menjëhershëm të opinionit publik me të vërtetën e plotë, institucionet shtetërore e kanë për obligim të marrin të gjitha hapat e nevojshëm që të hapen procedurat kundër përgjegjësve të drejtpërdrejtë në këtë krim e jo t’i lihet kjo çështje vetëm autopsisë. Autopsia është një mjet i domosdoshëm në ndriçimin e elementeve objektive që sollën deri te krimi por përgjegjësia institucionale në këtë rast kërkon që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Në të kundërtën, çdo zvarritje i bën bashkëpërgjegjës në këtë krim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme