Shi dhe ulje e temperaturave këtë fundjavë në Kosovë

Prishtinë | 24 Shk 2023 | 17:08 | Nga Ekonomia Online

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se gjatë ditëve të vikendit do të mbajë mot i ndryshueshëm.

Sipas njoftimit, të shtunën do të mbajë mot kryesisht i ngjashëm, por me vranësira më të theksuara.

Po ashtu, bëhet e ditur se të shtunën parashihen edhe riga shiu, ndërsa të dielën ato mund të shndërrohen edhe në reshje bore.

“Gjatë pjesës së dytë të ditës, kryesisht gjatë natës, parashihen riga shiu të cilat intensitetin do ta rritin të dielën. Rigat e shiut në orët e vona të ditës së diele, parashihen të shndërrohen në reshje bore, kryesisht në formë sqote”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Të dielën përveç ndryshimit të parametrave meteorologjik, parashihet edhe rënie e dukshme e temperaturave në të dy vlerat ekstreme.

“Po ashtu edhe vlerat e presionit atmosferik do të kalojnë nën vlerat standarde. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit dhe verilindjes me shpejtësi 1-9m/s”, thuhet tutje.

Të ngjashme