Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim drejtorin ekzekutiv të Projektit për Studime të Konkurrueshmërisë Strategjike (SCSP), Ylli Bajraktarin.
Sipas njoftimit, gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet në fushën e teknologjisë, inovacionit dhe inteligjencës artificiale, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe profesionistëve shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Presidentja Shiroka Pula e ka përgëzuar Bajraktarin për arritjet dhe kontributin e tij në SHBA, duke theksuar se suksesi i tij dëshmon potencialin dhe profesionalizmin e diasporës shqiptare.
Ajo ka vlerësuar se Kosova ka potencial në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, ndërsa ka theksuar rëndësinë e investimeve në këto fusha, në edukim dhe në zhvillimin e kapaciteteve njerëzore.
Po ashtu, presidentja ka nënvizuar rolin e diasporës shqiptare në SHBA, e cila mund të kontribuojë përmes transferimit të dijes dhe përvojës, si dhe krijimit të lidhjeve me kompanitë dhe institucionet amerikane.