Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka prezantuar prioritetet dhe investimet e planifikuara në sektorin e shëndetësisë për vitin 2027, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet Projektbuxheti për vitin e ardhshëm, raporton Ekonomia Online.
Vitia ka thënë se fokusi kryesor i Ministrisë së Shëndetësisë do të jetë në kujdesin parësor shëndetësor, parandalimin dhe zbulimin e hershëm të sëmundjeve, në mënyrë që qytetarët të marrin shërbime më të mira dhe më afër vendbanimeve të tyre.
Ai ka theksuar se synimi është që nga viti 2027 qytetarët të kenë mjekun e tyre familjar dhe që sëmundjet të zbulohen në fazat e hershme, duke mundësuar trajtim më të shpejtë dhe duke ulur shpenzimet shëndetësore.
“Sa i përket shëndetësisë, primare dhe aty ku jemi fokusuar më së shumti, janë investimet në kujdesin parësor shëndetësor, në parandalim, në edukim edhe në preventivë. Dhe me këtë buxhet synojmë që, duke filluar nga viti 2027, qytetarët të kenë shërbimet më të mira aty ku duhet në kujdesin parësor shëndetësor, duke pasur mjekun e vet familjar, që sëmundjet të zbulohen sa më herët dhe që shumë pacientë të fillojnë trajtimin sa më herët, në mënyrë që edhe kujdesi i tyre, edhe shëndeti i tyre të jetë më i mirë, por edhe shpenzimet më të vogla”, ka deklaruar Vitia.
Ministri ka bërë të ditur se investimet në kujdesin parësor shëndetësor tashmë kanë filluar, ndërsa në buxhetin e vitit 2027 janë paraparë ndërtimi dhe pajisja e një numri të madh të qendrave kryesore të mjekësisë familjare dhe qendrave të mjekësisë familjare.
“Sa i përket investimeve në KPSH, vetëm kemi filluar tashmë dhe, siç e keni parë edhe në buxhetin e vitit 2027, janë një numër i madh i qendrave kryesore të mjekësisë familjare dhe qendrave të mjekësisë familjare, të cilat do të ndërtohen, do të pajisen me pajisje të reja dhe moderne, që këto shërbime pra qytetarët t’i marrin sa më afër”, ka thënë ai.
Sipas Vitisë, përmes programeve të ndryshme, duke filluar nga mjeku familjar, do të synohet intervenimi me skriningje, edukim shëndetësor dhe zbulim sa më të hershëm të sëmundjeve.
Një nga programet që ai ka veçuar është skriningu neonatal, i cili, sipas tij, ka filluar për herë të parë në Kosovë dhe deri më tani e kanë realizuar mbi 12 mijë fëmijë.
“Siç e dini tashmë, skriningu neonatal për herë të parë në Republikën e Kosovës tashmë ka filluar dhe mbi 12.000 fëmijë për një vit e pak tashmë e kanë bërë këtë skrining, ku janë zbuluar në fazat më të hershme disa sëmundje të cilat lehtë edhe shumë më mirë trajtohen në tanë. Por në buxhetin e vitit 2027, ky volum i sëmundjeve, me thënë kështu, do të zgjerohet dhe spektri i sëmundjeve në këtë skrining neonatal, po ashtu do të zgjerohet”, ka deklaruar Vitia.
Ai ka përmendur edhe ndarjen e pesë milionë eurove shtesë për vaksina, duke veçuar vaksinën kundër HPV-së, e cila ndihmon në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.
Ministri ka bërë të ditur se ka përfunduar plani i skriningut për kanceret më të zakonshme në Kosovë, përfshirë kancerin e gjirit, kancerin e qafës së mitrës dhe atë kolorektal.
Sipas tij, skriningu për kancerin e gjirit tashmë ka filluar të zbatohet, ndërsa pritet që në komuna të ndryshme të vendosen edhe tetë mamografë të rinj.
“Tjetër, pas futjes së 5 milionë euro ekstra vaksinave, e sidomos vaksinën për HPV, si faktori kryesor për kancerin e qafës së mitrës, pasi ka përfunduar plani i skriningut për kanceret më të zakonshme në Republikën e Kosovës, siç është kanceri i gjirit, kanceri i qafës së mitrës dhe ai kolorektal. Kanceri i gjirit veç ka filluar me implementim dhe tani po priten edhe tetë mamografë të rinj që do të vijnë nëpër komuna të ndryshme”, ka thënë Vitia.
Ai ka shtuar se kanë filluar edhe procedurat për sigurimin e materialeve dhe pajisjeve të gjinekologjisë, si dhe materialeve të tjera të nevojshme për skriningun e kancerit të qafës së mitrës. Këto procedura, sipas tij, do të vazhdojnë edhe gjatë vitit 2027, ndërsa më pas do të vazhdohet me skriningun për kancerin kolorektal.
“Dhe brenda këtij plani të veprimit, brenda tre viteve të ardhshme, janë ndarë rreth 5 milionë e 459 mijë euro”, ka bërë të ditur ministri.
Një tjetër prioritet që Vitia ka prezantuar në Kuvend është intervenimi në fëmijërinë e hershme dhe mbrojtja e zhvillimit të fëmijëve, projekt ky që, sipas tij, ka nisur të zbatohet në bashkëpunim me komunat.
Ai ka shpjeguar se përveç kontrolleve gjatë shtatzënisë dhe vizitave në shtëpi pas lindjes, secili fëmijë deri në moshën gjashtëvjeçare do të ketë vizita të rregullta për përcjelljen e zhvillimit.
“Një synim tjetër i rëndësishëm që po ashtu kemi filluar në bashkëpunim me komuna, por duke investuar edhe në komuna, është edhe intervenimi në fëmijërinë e hershme apo mbrojtja e fëmijëve në fëmijërinë e hershme. Krahas kontrolleve të rregullta gjatë shtatzënisë dhe vizitave në shtëpi pas lindjes, çdo fëmijë deri në moshën gjashtëvjeçare do të ketë vizita të rregullta për përcjelljen e zhvillimit”, ka deklaruar Vitia.
Ai ka shtuar se në rastet kur identifikohen nevoja për mbështetje shtesë, familjet do të kenë qasje në shërbime të specializuara, përfshirë logopedinë, fizioterapinë, psikologjinë dhe shërbimet e punëtorit social.
“Dhe kur të identifikohen nevoja për mbështetje shtesë, familjet do të kenë edhe qasje në shërbime siç janë logopedia, fizioterapia, psikologjia dhe punëtori social”, shtoi Vitia.
