Shkarkohen 28 drejtorët e zv.drejtorët e shkollave që u emëruan nga Rudari

Prishtinë | 17 Dhj 2020 | 19:47 | Nga Ekonomia Online

Me akuza e kundërakuza është përcjellë vendimi e më pas anulimi i tij për zgjedhjen e 28 drejtorëve e zëvendësdrejtorëve në shkollat e Komunës së Podujevës.

Ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të Komunës, Nexhmi Rudari, më 1 dhjetor, 2 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve në këtë komunë, kishte marrë vendim për zgjedhjen e këtyre drejtorëve e zëvendësdrejtorëve. Në mesin e tyre edhe vëllain e vet, Sabri Rudarin. Por, pas marrjes së detyrës së kryetarit, Shpejtim Bulliqi e anuloi vendimin e Rudarit. Kjo ka nxitur reagimin e LDK-së, parti në pushtet deri tash.

KOHA ka kontaktuar Nexhmi Rudarin, por i njëjti nuk u është përgjigjur thirrjeve. Ndërkohë, në reagimin e degës së LDK-së në Podujevë, Shpejtim Bulliqi akuzohej për sulm ndaj pavarësisë së shkollave.

“Në kundërshtim me Ligjin, ai anuloi vendimet për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme të komunës sonë.

Edhe pse zgjedhja e drejtorëve dhe konkursi ishin transparentë dhe konform legjislacionit në fuqi, Bulliqi e anuloi atë me qëllim të revanshit ndaj atyre që dëshirojnë të kryejnë punën me nder, përgjegjësi dhe profesionalizëm”, thuhet në reagim.

Por, drejtori për Arsim në Podujevë, Avni Fetahu, tha se ai që i ka shkelur procedurat ligjore është pikërisht Rudari.

“Është i çuditshëm fakti që përkundër faktit që është shpallë një konkurs edhe i ka pasur procedurat e qarta në Udhëzimin Administrativ dhe shkruan qartë neni 3, pika 11 ku e pasqyron që nëse brenda 3 muajve nuk zgjidhen drejtorët, ata duhen të emërohen ushtrues detyre dhe duhet të rishpallet konkursi. Këta e kanë kaluar këtë afat kohor dhe ne asgjë nuk kemi bërë më shumë përveçqë e kemi respektuar udhëzimin administrativ. Një nga vendimet e kryetarit në shumicën e drejtorëve është edhe emërimi i vëllait të tij, që e kemi potencuar shumëherë, z.Sabri Rudari, dhe i shumë drejtorëve të tjerë”, tha Fetahu.

Ndërkohë, reagimin e LDK-së Fetahu e quajti të pabazë, pasi ka thënë se me vendimin e Bulliqit nuk është penalizuar askush dhe të gjithë janë emëruar ushtrues detyre deri në shpalljen e konkursit të rregullt.

Drejtori për Arsim shtoi se pushteti i deritashëm i ka shkelur edhe kriteret e konkursit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme