Lëvizja e lirë dhe pa barriera është ende sfidë për fëmijët me aftësi të kufizuara, veçanërisht në institucionet arsimore. Kështu thonë nga organizata “Save the Children” në Kosovë.
Lulevare Behluli nga kjo organizatë, ka thënë për Ekonomia Online se qasje e fëmijëve me aftësi të kufizuara është sfidë e përhershme në vend, që nga momenti kur dalin nga shtëpia e deri në vijimin e mësimit.
“Qasja vazhdon të jetë problematike në të gjithë Kosovën, qasja është problem që nga momentin që një fëmijë me aftësi të kufizuar del nga shtëpia deri në shkollë ka shumë pengesa që lidhen që nga transporti, rrugët të cilat janë të papërshtatshme pastaj edhe në shkolla një pjesë e madhe e shkollave i kanë ndoshta në Prishtinë këto pjerrina, por jo gjithherë këto pjerrina janë sipas standardit të cilat do të duhej të jenë, pastaj ka mungesë të madhe në qasjen e tërë ambientit të shkollës, nuk mund të ketë në shumicën e rasteve fëmijët me aftësi të kufizuar sidomos këta që janë përdorues të karrocës nuk kanë qasje në katin e dytë ose të tretë të shkollës, as në sallë të edukatës fizike, ose kanë shumë pengesa edhe në pjesëmarrjen nëpër laboratorë”, ka thënë Behluli.
Behluli potencoi se pothuajse të gjitha shkollat në Kosovë nuk kanë ashensor për nxënësit që janë përdorues të karrocës.
“Shkollat në Kosovë, pothuajse asnjë prej tyre, nuk kanë ashensor më që do të mund ta përdornin nxënësit me karrocë. Kjo i kufizon ata brenda ambientit të shkollës, përveç qasjes fizike janë edhe qasjet që lidhen me aspektin pedagogjik, një numër i madh i fëmijëve nuk kanë plane individuale të arsimit. Këto plane mbahen me qëllim me i mbështet fëmijët me aftësi të kufizuara që kanë vështirësi të theksuar në të nxënësit edhe pse shpesh herë i kanë këto plane por nuk janë plane të adaptuar për nevojat individuale. Problematikë tjetër aty ku janë planet nuk zbatohen, dhe si rrjedhojë e kësaj shumë pak fëmijët me aftësi të kufizuar përfitojnë nga sistemet arsimor”, ka thënë ajo.
Sipas saj, secili fëmijë në shkollë duhet të jetë pjesëmarrës aktiv, duke shtuar se “fëmija diskriminim më të madh e përjetojnë në klasë, atje ku askush nuk merret me të dhe nuk punohet si duhet me të”.
“Secili fëmijë i cili është në shkollë duhet të jetë pjesëmarrës aktiv dhe të përfitojë sa më shumë nga mësimdhënia. Qeveria ka bërë politika shumë të mira, por në këtë drejtim një pjesë e madhe i takon drejtorive të arsimit por edhe shkollave, fëmijët me aftësi të kufizuar është në dorën e mësimdhënësit. Ministria e Arsimit duhet të bëjë më shumë në monitorimin e shkollave dhe në mentorimin e shkollave për me i tregu se di duhet ta bëjnë punën. Fëmija diskriminim më të madh e përjetojnë në klasë, atje ku askush nuk merret me të dhe nuk punohet si duhet me të, ku mundësojnë shumë gjëra, mungon mbështetja, materiale të përshtatshme, pajisjet e nevojshme dhe si rrjedhojë e saj, fëmija fizikisht është në klasë por rrjedhimisht nuk përfiton asgjë. Të gjitha hallkat duhet të ushtrojnë kompetencat e veta”, theksoi Behluli.
Me 150 asistentë që ka gjithë Kosova, sipas Behulit është e pa mjaftueshme për katër mijë fëmijë me aftësi të kufizuar.
Tutje, ajo ka thënë se këta asistentë nuk mund t’i mbulojnë as nevojat minimale, shpërndarja e tyre nuk është adekuate nëpër komuna.
“Me rreth katër mijë fëmijë dhe më një numër prej 150 asistentëve kjo nuk i plotëson as nevojat minimale, nëse vetëm në një shkollë në Prishtinë që është Ismail Qemaili, me 43 fëmijë, aty katër deri në pesë asistentë i duhet vetëm asaj shkolle, mos të flasim që në Komunën e Prishtinës mund t’i ketë 10 asistentë. Ata nuk mund t’i mbulojnë as nevojat minimale, shpërndarja e tyre nuk është adekuate sepse një asistentë është vetëm për një fëmijë nuk mund të jetë. Nuk mund të ketë një orë nevojë fëmija dhe në orën e dytë mos të ketë. Prindërit detyrohet që të lejnë obligimet që kanë në shtëpi dhe të shkojnë në shkollë dhe ta marrin barrën që nuk do të duhet të ishte e tyre”, përfundoi ajo.
Nxënësi, Eldin Gashi për EO, ka thënë se premtimet që janë bërë nga Qeveria nuk janë realizuar dhe kanë qenë ‘premtime koti’.
Ai bënë thirrje nivelit qendror për të qenë më bashkëpunues dhe t’i dëgjojnë sfidat e fëmijëve për të pasur një gjithë përfshirje më të mirë pa barriera.
“Realisht shteti nuk po bënë shumë për shkak se ka mungesa në sektorin multisekorial, sa i përket nevojave të fëmijëve sidomos në shkolla që ata e ndjekin mësimin për një të ardhme më të mirë të tyre. Sa i përket shkollave në Komunën e Prishtinës janë vetëm dy shkolla me qasje, ‘Ismail Qemaili’ e cila ka qasje vetëm në katin e parë edhe shkolla Model ku ka qasje në të dyja katet sepse ka liftin. Premtimet që janë bërë nga Qeveria nuk janë realizuar kanë qenë vetëm premtime koti për shkak se e kemi mbajtur mbledhjen me ta edhe kur e kemi mbajtur mbledhjen nuk është ardhur vetë kryeministri, por e ka dërgua ekipin e tyre. Përgjatë takimit edhe ekipi i t8ij e ka lënë takimin dhe kanë shkuar në një takim tjetër. Thirrje do të bëja që të jenë më bashkëpunues me dëgjuat sfidat tona, por jo vetëm t’i dëgjojnë por edhe t’i implementojnë ato. Për shkak se na duhet një gjithëpërfshirës më e mirë dhe pa barriera”, ka thënë Gashi.